Kritika e Berishës: Ne kemi mijëra oratorë, le t’i mobilizojmë si misionarë

Kritika e Berishës: Ne kemi mijëra oratorë, le t’i mobilizojmë si misionarë

12:08, 01/10/2022
A+ Aa A-

Kryetari demokrat, Sali Berisha, kritikoi në fjalimin e tij në Këshillin Kombëtar, mënyrën se si po organizohet partia në nivelet më bazike.

Ai tha se duhet punë më e madhe në nivel seksionesh, ndërsa tha se në vend ka mijëra oratorë, që duhen mobilizuar si misionarë.

“Po t’u bëj një pyetje, ju i keni ndjekur foltoret dhe takimet. U them unë ju, që elementi më spikatës, më i rëndësishëm i tyre janë fjalët e atyre qytetarëve dhe atyre demokratëve. Nuk janë fjalët e mia. Janë një mori çështjesh.

A e shihni sa bukur flasin ata? Çfarë dua të them me këtë? Potencialet i kemi të jashtëzakonshme, por duhet t’i shfrytëzoni.

Po çfarë të deleguari doni ju më shumë se atë mjeken, e cila në tre minuta, i bëri radiografinë sistemit në mënyrën më të shkëlqyer. E dëgjuat çfarë oratoreje. Çfarë misionareje doni më shumë se atë mësuesen që denoncoi atë që po bëhet në arsim.

Ne kemi me qindra e mijëra oratorë, që duhet t’i mobilizojmë si misionarë. Ne duhet të jemi misionarë. Dhe misionarët kanë forcën e fjalës. Bindin me fjalë. Unë personalisht e kam vlerësuar jashtë mase fjalën e demokratëve në takime. Shoh një nivel politik të shkëlqyer. Ata flasin sikur të jenë analistë, sikur të jenë politologë.

Të gjithë këtë e thashë se kemi potenciale të mëdha, por urdhëroni t’i shpalosim.

Duhet të jemi realistë. Për të qenë realist, duhet të njohim realitetit. Është e domosdoshme që pas kësaj mbledhje, krerët e degëve të mbledhin kryesinë dhe të bëjnë një plan të detajuar pune për të gjithë aktivitetin dhe takimet në nivel seksioni dhe grup-seksioni.

Të deleguarit i keni ju. Po çfarë doni më shumë se fjalën e një mjeku, një inxhinieri, një pensionisti.

Bashkë me ta të shkojnë, të takojnë, të trokasin, të verifikojnë. Mos të harrojmë se në zgjedhjet e fundit ne kemi pasur dhjetëra qendra votimi pa komisionerë.

E turpshme, një parti kombëtare që nuk nxjerr dot komisionarë,” tha Berisha.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco