Meta: Shqiptarët i njohin bandat dhe ortakët e tyre në nivelet më të larta shtetërore. Drejtësia të reagojë tani

Meta: Shqiptarët i njohin bandat dhe ortakët e tyre në nivelet më të larta shtetërore. Drejtësia të reagojë tani

11:09, 28/06/2022
A+ Aa A-

“Mbrojtja politike e grupeve kriminale dhe shmangia e tyre nga drejtësia” është njëra nga akuzat më të rënda që kreu i shtetit Ilir Meta i ka drejtuar sot qeverisë së Edi Ramës, duke bërë thirrje që drejtësia të reagojë për t’i dhënë fund këtij fenomeni njëherë e përgjithmonë.

Presidenti ka kritikuar po ashtu mosveprimin e organeve ligjzbatuese, duke marrë shkas nga rezultatet e fundit të publikuara nga Zyra e OKB për Drogat dhe Krimet, e cila e rendit Shqipërinë sërish ndër vendet kryesore në botë për prodhimin e kanabisit, por gjithashtu e përmend edhe si rrugë kalimi për heroinën.

Në shënimin e tij plot indinjatë në Fb, Ilir Meta shprehet:  

“Krimi i organizuar vijon të mbetet një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare të Shqipërisë. Policia e Shtetit, Shërbimi Informativ Shtetëror, Prokuroria dhe agjencitë ligjzbatuese ende nuk janë përqëndruar seriozisht në luftën kundër kanabizimit dhe trafikut të drogës, kusht për integrimin europian.

Raporti i vitit 2022 i UNODC, zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogat dhe Krimet e rendit vendin tonë, kryesor në botë për kultivimin e kanabisit, duke e klasifikuar të shtatin nga shtetet më të përmendura për origjinën, nisjen dhe tranzitin për periudhën 2016-2019, pas Marokut, Afganistanit, Spanjës, Holandës, Pakistanit dhe Libanit.

Shqipëria përmendet edhe në të ashtuquajturën rrugë të Ballkanit për heorinën, që fillon nga Pakistani, kalon nëpër Siri, Turqi, Greqi dhe përfundon në vendet e Europës Perëndimore.

Një tjetër raport, i publikuar nga Qendra Europiane për Monitorimin e Drogave (EMCDDA) rreth një muaj më parë, konstatonte se grupet kriminale shqiptare, që prej vitit 2017 jo vetëm që janë zgjeruar, por edhe janë sofistikuar, duke kontrolluar si importin ashtu dhe shpërndarjen e kokainës nga vendet e Amerikës Latine në tregjet europiane.

Mbrojtja politike e grupeve kriminale dhe shmangia e tyre nga drejtësia, përdorimi i bandave në fushatat elektorale dhe dhënia për ta si “koncension” i vijimit të trafiqeve, që po dëmton seriozisht imazhin e vendit dhe ka marrë aq shumë jetë njerëzish, duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë.

Të gjithë shqiptarët i njohin grupet kriminale dhe ortakët e tyre në nivelet më të larta shtetërore. Drejtësia të reagojë tani!” nënvizon Meta.

Image

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco