'Toreadori'

'Toreadori'

13:36, 18/05/2024 Nga Pranvera Shehaj
A+ Aa A-

Askush s’ka ditur të plastikohet në shërbim të dalldisjes së turmës më shumë se ai. Që turma është një lëmsh i përhumbur pa qëllim të përcaktuar, pa qëndrim të fortifikuar, pa kujtesë të mirëfilltë, vetë ai e di më mirë. Janë këto dobësitë e turmës, gatitja e saj për t’u jargavitur pafajësisht ndaj çdo akrobacie që i shpëlan mendimet, i trazon emocionet, i përgjum vetëdijen, ato që ekzaltojnë tek ai imagjinatën për të dhënë më të mirën e vetes, për ta rishpikur veten kur më së shumti ndjen se fati si relike e padëshiruar e kohës i trokiti dhe atij. Atë cohë kuptimplotë që aq shumë dhemb, e që për dreq qëlloi të kishte të njëjtën ngjyrë me muletën e kuqe, ai e zotëron sa me një mjeshtëri diabolike frut të dashakeqësisë, aq edhe me dinakërinë frut të vigjilencës, të frikës, të pabesimit se rehatia nuk tronditet.

Muletë që e kalon sa në njërën dorë në tjetrën, e valëvit anash, e ngre lart, e tërheq mbrapa dhe e rrotullon me një shkathtësi prej toreadori të vjetër. Në çdo lëvizje të dorës së tij, demi turret, pastaj tulatet, pastaj hidhet, gërthet, hidhet prapë, dhe për të parën herë egërsohet jo përkundrejt toreadorit. Gjithçka e kuqe, shumësi demash që nuk shohin asgjë veç cohësh së kuqe që për dreq mjeshtëria e toreadorit e përvetësoi, e ndyti në pluhurin e rërës që ngrihet lart sa herë toreadori mpleks valëvitjen e cohës së kuqe me fjalët, sa herë përplas thundrat e këpucëve në rërë, sa herë britmat e turmës shqetësojnë strehën e dhomës gjigande ku zhvillohet loja. Coha e kuqe sa në njërën dorë në tjetrën, kësaj here demi që vetëm toreadori sheh turret në drejtimin që ai vërvit muletën, qorrazi ndaj ngjyrës, por i shpërqëndruar vetëm nga lëvizja e cohës së kuqe.

Më lart valëvitet coha e kuqe, më shumë egërsohet demi, më shumë djersitet toreadori, zemrat peshë turma e bërë një që gërthet pa vetëdije artin e tij, përfytyron dyluftimin, ekzaltohet deri në pikën që rrahjet e zemrës u sinkronizohen dhe rrahin vetëm për atë, artin, mjeshtërinë, ekzibicionin, talentin e tij. Përçartje që të fut në shok reagimi sa vështirë të ndash, ajo cohë e kuqe ndjell më shumë demin apo turmën, por jo aq në shok sa të mos kuptosh se toreadori e zotëron përdorimin e cohës së kuqe dhe në atë art, është më i kthjellti. Një dhe i vetmi toreador që guxoi ta japë këtë dyluftim jo aty ku ka shijuar të shihet, shpesh në Andaluzi. Ai e rishpiku në tërësi, në formë, ngjyra, kontekst dhe vend, diabolikisht me mjeshtëri. Ai performoi me gjithë qenien e tij dhe çdo pikë djerse që freskonte pluhurin që ngrinte rëra, dëshmonte se si toreador atij i duhet njohur një aftësi e domosdoshme për suksesin në këtë sport dhe art performues njëkohësisht, aftësia për të qenë praton dhe ethos.

Toreadori në Athinë veshjen e mbajti sigurisht si duhet në këtë art, me shumë ngjyra për të kamufluar njollat e gjakut. Me shumë ngjyra u vesh ai në çdo fytyrë të tijën gjatë artit të performimit. Cilin mpiu ky artist i dyluftimit imagjinar? Grekët, s’ma do mendja.Vështirë të tërhiqet një komb aq i lashtë sa vetë lashtësia nga ky art kur sytë i kanë parë shumëçka. Turmën brenda asaj dhome mbytëse me nuancat e kuqe verbuese të cohës që i shastiste më shumë se vetë demin imagjinar? Refuzoj aq naivitet sa të besoj se djersa, ekzibicioni, pathosi i fjalëve, guximi si hir nën presion për të lëshuar shashka donkishoteske mbi të shkuarën u bënë vetëm për të ndjellë turmën atje.

Mos deshi toreadori të mprehë dhëmbët për turmën që la pas në vendin ku e ka shpikur artin? Po ç’them kështu se më shastisi dhe mua! Është marrëzi qoftë dhe të dyshosh se ia vlen përpëlitja e mbytur nga djersa, pathosi sikur të ishte e para herë që prekte atë art, ajo shkundje e përkundje cohe të kuqe, muletë të rëndë, për aq të papërfillshmen turmë që pati lënë toreadori pas. Atë turmë, ai e ka ngarkuar në varkën e humbëtirës kohë më parë. Të marrë më quani edhe të mendoj se toreadori u djersit për të rishpikur veten, për të ngjizur fabulën e katërt, për të tjerrë rrjetën e hirit mbi sy për turmën fëmijënore, atë budallaqen, ose të lodhurën, ose të pashpresën, ose jetimen, ose të dorëzuarën, ose të braktisurën, ose të tradhtuarën, fundja për atë që fle në narkozë brenda apo atë që injekton narkozën me ndihma nga jashtë?

Për të dyja, njëra që e mban toreadorin aty si e dorëzuar dhe e friguar, tjetra pa dashur, përmes ndihmave që kamuflojnë keqdashësinë e këtij mjeshtri dyluftimi me demin imagjinar, të këtij mjeshtri që shkalavit për të jargavitur turmën atë cohë të kuqe.

Ndalem së kacavjerruri në dilemat për një përgjigje. Zhurmën e skenarëve në kokën time e mbyt një britmë nga fundi i dhomës ku po luftohet demi që i turret cohës së kuqe: “Kur do e vrasësh demin toreador?”Nuk është çasti. Ai, si mjeshtër i artit të performimit, e di mirëse nuk është tani çasti për t’u bërë matador. Tundja e shamive të bardha do të ishte fundi i shfaqjes në një kohë kur shfaqja duhet të zgjasë, edhe pak, i shijon të mbesë torero. Ajo britmë pyetëse e dalë nga turma e shastisur, në fakt kthjelloi mua. Si vallë u përhumba e harrova të ethshmin detaj që më çon tek e vërteta: përpos mjeshtërisë dhe profesionalizmit tëtij në këtë art performues të jargavitjes së turmës përmes cohës së kuqe, a nuk është dhe vetë toreadori në fakt një i punësuar?! Edhe pak, ai duhet të mbesë torero.

Shpjegime:

*Muleta: term në gjuhën spanjolle që i referohet copës së kuqe me të cilën toreadori orienton demin në dyluftim.

*Torero kthehet në Matador në çastin kur vret demin. Shfaqja mbaron dhe publiku valëvit shami të bardha.

*Praton: Veprues

*Ethos: Karakter

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco