Berisha: Investitori strategjik i Ramës eliminoi Bardhok Pllanën me Bajrët

Berisha: Investitori strategjik i Ramës eliminoi Bardhok Pllanën me Bajrët

11:07, 18/05/2024
A+ Aa A-

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË TUBIMIN QYTETAR

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, guximtare dhe guximtare, qëndrestare dhe qëndrestarë, luftëtarë të paepur të kauzës së drejtë.

Përulem me nderimin më të madh para jush.

Por një nderim të veçantë, mirënjohje të pakufishme kam për artistët e vërtetë të këtij kombi, që në një betejë të pashembullt, mbrojnë një kauzë kombëtare.

Mbrojtën simbolin e arrirë të kombit, Teatrin Kombëtar, që 4 vite më parë, biri i të keqes e shembi në një akt barbarie kulturore në mesnatë, Erion Veliaj.

Të dashur miq, kauza e Teatrit është kauzë nderi.

Është kauzë dinjiteti.

Është kauzë e të vërtetës kulturore të një kombi.

Mbrojtja e saj do të mbetet objektiv më madhor i PD. Kjo kauzë është mishëruar dhe do të mishëruar në çdo protestë, në çdo qëndresë, në çdo mosbindje civile gjer në fitoren përfundimtare tonë, rindërtimin e Teatrit aty ku ka qenë, ashtu siç ka qenë.

Miqtë e mi, në të katër anët e vendit bien sirenat e krimit, sirenat e hajnisë, sirenat e varfërisë dhe mjerimit të shqiptarëve.

Sot, njëri nga eksponentët më mafiozë, më të zi të pushtetit, Don Agaçio Dhuratmadhi, pas protestave tuaja të fuqishme, u thirr në Skrapin e partisë.

T’i drejtojmë një pyetje Altin Zamanit: po nuk ke turp mo që e thërret pas katër vitesh njeriun që ka mbledhur për djegësin 17 firma në 24 orë?

Njeriun, mafiozin që si kurrë në historinë e këtij shteti, ka nxjerrë 9 vendime në 8 orë, për vendimin e djegësit.

I ka publikuar të nesërmen në Fletoren Zyrtare sikur të ishte emergjenca e të gjitha emergjencave.

Ky është një mafioz i zi, i cili ka firmën e tij mbi prokurimin e ndaluar me ligj, prokurimin me negociata të mbyllura.

Është mafiozi Agaçio që pasi me shkrim i thuhet nga drejtori i prokurimeve se prokurimet me negociata të mbyllura janë të ndaluara, janë jolegjitime, firmos për prokurimin me negociata të mbyllura pa asnjë rival, por vetëm me kompaninë e Edi Ramës dhe Erion Veliajt.

Zamani, ky produkt krimi, në vend që ta mbante aty, ta çonte te 313-a, i thotë se të thirra si person që ke dijeni, një krimineli i cili me porosi të bosit të tij mafioz, Edi Ramës, firmosi për t’i dhënë 8 pikë, një kompanie që nuk kishte pronar, nuk kishte menaxher, nuk kishte seli, që nuk ishte e regjistruar kund mbi dhe, por që mbi të gjitha mafiozin Agaçio e kishte njoftuar me shkrim një ministre.

Pra, kalojnë 4 vjet dhe vetëm pas katër vitesh, Dumani i krimit e thërret ‘na fal se të ftuam si person në hetim’. Një mafioz i bërë i famshëm tani në analet e mafies italiane.

Po Agaçi është një nga hajdutët më të zi të këtij vendi.

Vjedhjet e tij me naftën në bordin e ARMO-s, aktet e tij kriminale i paguajnë sot banorët e Mallakastrës me falimentimin kriminal të uzinës së prodhimit të naftës.

Agaçi, Sekretari i Përgjithshëm i mafies në Ballkan, është personi që i dhuroi McGonigalit italian, gjeneral Lisit, 30 hektarë tokë.

Ky mafioz e ka vendin vetëm në burg.

Ky është turpi dhe krimi i vërtetë.

Miqtë e mi, dje në Komisionin e Hetimit të TIMS-it ka ndodhur një moment që nuk e ka njohur ndonjëherë në 33 vite parlamenti shqiptar.

Dje, kur në komision u thirr krimineli, mafiozi Malaveci, shefi i përmbaruesve mizorë, që u vodhën shtëpi, katandi qytetarëve, trafikanti i damkosur i drogës, që paguan Ulsi Manjën për ta mbajtur në detyrë në kundërshtim me ligjin, i dënuar 4 vite në Holandë, i paraqitur në komision, Linda e parlamentit ndërpreu të gjitha sinjalet televizive të medieve, kur ky mafioz do të dëshmonte para komisionit.

A e dini ju sepse o miq? Sepse Malaveci i mafies ndërkombëtare, Malaveci i trafiqeve ndërkombëtare, kishte akses, kishte hyrje në shtëpinë e tij në të dhënat më sekrete të shtetit, ato të TIMS-it.

Ndërkohë, deputetëve u thuhej se nuk keni certifikatë sigurie, ndaj nuk flasin dot haptas.

Malavecit i ishin dhënë të gjitha të dhënat kundrejt drogës, kundrejt miliona eurove shpërblim nga Rrumbullaku dhe Taulant Balla në shtëpinë e tij.

Ky është shteti i krimit miq, dhe shpresa e vetme jeni ju.

Shpresa e vetme janë qytetarët në protestë.

Të dashur miq, Altin Dumani, kreu i organizatës kriminale që quhet Skrap, do të hyjë në Gines si sharlatani më i madh në luftën kundër krimit.

Ky kriminel pasi u mor dhe shiti të dhënat, dëshmitë e kushëririt të tij seria killer, dje bëri bllofin e radhës.

Deklaroi se ka prerë 50 urdhër-arreste.

Miq, ky sharlatan është për analet e turpit të historisë.

Asnjë i arrestuar në 50 urdhra të lëshuar.

Ky është operacioni i turpshëm i Taulant Ballës dhe Altin Krimit.

Miqtë e mi, cilido që ka lexuar dosjen Metamorfoza, aty shkruhet e zezë mbi të bardhë se baroni i drogës, investitori strategjik i Edi Ramës, Kolomboja i Taulant Ballës, eliminoi Bardhok Pllanën me Bajrët.

Jo vetëm kaq, por aty shkruhet se Arben Ndoka na dha ndihmë të çmuar duke nxjerrë në pritë viktimën e tyre.

E kam ndjekur me shumë vëmendje, isha i sigurt se Altin Dumani do merrte qesen e parave dhe do njoftonte Arben Ndokën t’ia mbathte nga Shqipëria.

Arben Ndoka sot është në Dubai, kurse Altin Dumani është në turpin e tij në zyrën e shtetit.

Miqtë e mi, të gjitha këto tregojnë se beteja jonë është e vetmja shpresë për shqiptarët.

Se krimi shtetëror po shkatërron çdo ditë e më shumë qenien e këtij kombi.

Se këta kriminelë të shtetit, që paguhen miliona e miliona lekë rroga, këta janë armiqtë më të egër të qytetarëve.

Më të egër se armiqtë e shpellave, se armiqtë e bodrumeve.

Më të rrezikshëm se çdo mafie tjetër.

Erion Veliaj vazhdon dhe u bën karshillëk qytetarëve.

Hajduti i modelit të vjedhjes 100 përqind.

Vetëm një punonjës i tij tek 5D ka dalë 37 milionë të vjedhura.

Këto ditë doli Arben Maloku, zyrtari i tij, që vetëm ai kishte vjedhur 38 milionë euro nga paratë e Bashkisë së Tiranës.

Të gjitha këto miq na ftojnë për sakrifica.

Na ftojnë të marrim fatin në duart tona.

Na ftojnë me çdo çmim të çlirojmë Bashkinë e Tiranës.

Na ftojnë të gatshëm për çdo sakrificë, të shkojmë drejt qeverisë teknike, zgjedhjeve të reja, fitores së opozitës.

Edhe njëherë, përshëndetjet më të përzemërta.

Edhe njëherë, ditën e martë, në ora 11.00, e gjithë Tirana te bashkia, të nxjerrim nga zverku Erion Velinë, të pastrojmë bashkinë.

Rrofshi ju, rrofshi Shqipëria.

Fitore, fitore, fitore!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco