Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet sot në seancën plenare për të zhvilluar raundin e katërt për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, votimin e kandidatit të propozuar dje nga Partia Socialiste, Bajram Begaj, aktualisht Shef i Shtabit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura.
Seanca nis në orën 18:00 dhe ka vetëm një pikë në rendin e ditës: Zhvillimi i votimit të katërt për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.
Jetëshkrimi
Gjeneral Major Bajram Begaj, ka lindur në datë 20.03.1967, në Rrogozhinë. Ka përfunduar studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Degën Mjekësi e Përgjithshme në vitin 1989 dhe është titulluar oficer aktiv në specialitetin ‘Mjekësi” në vitin 1998.
Gjeneral Major Begaj ka përfunduar “Doktoraturën në Fushën e Mjekësisë”, në Shqipëri si dhe mban titullin “Profesor i Asociuar” në Mjekësi.
Gjatë karrierës 31 vjeçare ushtarake ka kryer:
Kursin e Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen;
Shkollën e thelluar pasuniversitare të mjekësisë,
Specializimin Pasuniversitar në profilin Gastrohepatologji,
Kursin e menaxhimit spitalor dhe Kursin e lidershipit mjekësor strategjik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës
Kursin e specializimit në fushën e mjekësisë dhe Kursin e Shëndetësisë në Greqi.
Gjeneral Major Begaj ka mbajtur postin e Komandantit të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes në Forcat e Armatosura, ndërkohë që në 31 vitet e karrierës në FA ka mbajtur një sërë detyrash mes të cilave:
Shef i Njësisë Mjekësore Ushtarake dhe Zëvendësdrejtor Ushtarak i SUT, Drejtor i Spitalit Ushtarak, Drejtor i Inspektoriatit Shëndetësor dhe Kryeinspektor dhe Këshilltar i Inspektoriatit Shëndetësor në Shtabin e Përgjithshëm Ushtarak Qendror Universitar etj.
Në vitin 2020, Bajram Begaj mori rolin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Shqiptare.
Është i martuar dhe ka dy djem.
© SYRI.net