Skandali/ Rama e mbron, Zoto fsheh bilancet financiare

Skandali/ Rama e mbron, Zoto fsheh bilancet financiare

14:15, 03/01/2022
A+ Aa A-

Koncensionari i landfillit të Fierit tallet me Tatimet. Prej 6 muajsh refuzon të zbatojë ligjin

Klodian Zoto dhe kompania e tij që menaxhon ndërtimin e landfillit të Fierit, ka marrë rreth 20 milionë euro nga buxheti i shtetit gjatë dy viteve të fundit.

Megjithatë, “Integrated Technology Waste Treatment Fier” refuzon në mënyrë sfiduese që të deklarojë pranë institucioneve publike mënyrën se si janë shpenzuar paratë e qytetarëve shqiptarë, të përfituara nëpërmjet Ministrisë së Infrastrukturës.

Për më shumë se 6 muaj, kompania koncensionare e landfillit dhe inceneratorit të pritshëm të Fierit nuk dorëzon pasqyrat financiare për vitin 2020.

Legjislacioni tatimor parashikon që kompanitë duhet të dorëzojnë pasqyrën financiare vjetore brenda datës 31 korrik të çdo viti.

Në Qendrën Kombëtare të Biznesit, emri i kompanisë “Integrated Technology Waste Treatment Fier” është shënjuar me një flamur të kuq dhe me shënimin: “Subjekti nuk ka dorëzuar pasqyrat financiare vjetore raportuese, mbajtja e të cilave është e detyrueshme sipas ligjit”.

Legjislacioni tatimor parashikon një gjobë minimale për rastet e shkeljes së afatit ligjor 31 korrik. Masa është vetëm 15 mijë lekë të reja.

Megjithatë, ligji “Për Kontabilitetin dhe pasqyrat financiare” parashikon masa edhe më të rënda, nga gjoba deri në kallëzime penale ndaj kompanive në rast refuzimi të dorëzimit të këtij dokumentacioni specifik.

Por, të paktën deri më tani, nuk duket se është ndërmarrë asnjë nismë ligjore ndaj kompanisë koncensionare të landfillit të Fierit, të zotëruar në 70 përqind nga shoqëria “Integrated Technology Service” e Klodian Zotos.

Biznesmeni kontrovers është aktualisht në kërkim, pasi Prokuroria Speciale, SPAK e ka të dyshuar si një ndër personat kryesorë të “aferës së inceneratorëve”.

Edhe shoqëria e tij kryesore, “ITS” është vendosur nën sekuestro preventive. Por, SPAK-u duket se është treguar shumë tolerant me Zoton, pasi nuk ka bllokuar interesat financiare që ka Zoto në kompani të tjera.

Një prej atyre që vijon të funksionojë lirshëm është koncensionari i landfillit të Fierit, nga i cili Klodian Zoto përfitoi 600 milionë lekë të vjetra edhe në mes të dhjetorit 2021, vetëm një ditë pasi u shpall në kërkim zyrtarisht.

Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, u treguan të vendosur për të vijuar të paguajnë faturat qindra-milionëshe në favor të Klodian Zotos, edhe pse ai është i akuzuar për përfshirje në pastrim parash, pikërisht me skemën e inceneratorëve.

Në takimin e fund-vitit me gazetarët, kryeministri Rama deklaroi se: “Përgjigjia e ministres është përgjigjia e duhur sepse janë marrëdhënie kontraktuale, të cilat imponohen nga ligji për të vazhduar deri kur të ketë vendime të formës së prerë nga gjykatat. Janë marrëdhënie kontraktuale që duhet të zbatohen derisa të flasë drejtësia”, duke iu referuar qëndrimit të Ballukut, e cila konfirmoi se Klodian Zoto do të vijojë të paguhet nga Buxheti i Shtetit, megjithëse Prokuroria e akuzon se ka shpërdoruar pikërisht paratë e qytetarëve.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco