Banorët e Lumasit fitojnë betejën ligjore kundër bashkisë/ Akt-ekspertimi teknik konfirmon akuzat e tyre

Banorët e Lumasit fitojnë betejën ligjore kundër bashkisë/ Akt-ekspertimi teknik konfirmon akuzat e tyre

18:02, 24/09/2021
A+ Aa A-

Banorët e fshatit Lumas kanë fituar një tjetër betejë ligjore kundër bashkisë Kuçovë dhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit.

Në seancën e radhës,të zhvilluar në Gjykatën Administrative të Shkallës së parë në Vlorë, ku bashkia Kuçovë është paditur për dhënie të paligjshme të lejes së ndërtimit për ujësjellësin, palët janë njohur me akt-ekspertimin teknik të inxhinierëve, që ka qënë totalisht në favor të banorëve të Lumasit.

Të kontraktuara nga Gjykata Administrative Vlorë, dy inxhinieret: Silva Meçaj dhe Liljana Vllamasi, pasi kanë kryer inspektimet në zonë 3 javë më parë, kanë dorëzuar pranë kësaj gjykate akt-ekspertimin teknik, që konfirmon akuzat për muaj me radhë të banorëve të fshatit Lumas.

Akt-ekspertimi teknik hedh poshtë të gjitha pretendimet e bashkisë Kuçovë në lidhje me nevojat për ujë të pijshëm të fshatrave të Lumasit, pasi konfirmon edhe një herë atë që është thënë me forcë nga banorët e Lumasit, se fshatrat furnizohen me ujë nga 4 ujësjellësa.

Po kështu, ky akt-ekspertim konfirmon edhe një herë se të gjitha ndërtimet e kryera por edhe ato të parashikuara në projekt prekin Zonën Buferike dhe atë të mbrojtur të Kanionit të Sinecit.

Sipas akt-ekspertimit teknik, të katërta objektet që po ndërtohen nga firma Salillari janë brenda Poligonit Monument Kulture (Kanioni i Sinecit) dhe brenda Zonës Buferike të Kanionit të Sinecit.

Në akt-ekspertimin teknik përcaktohet se,edhe bazamenti ku do të shtrihet tubacioni i ujësjellësit në ndërtim ka prekur Zonën Buferike dhe Kanionin e Sinecit (zonë e mbrojtur). Edhe pretendimet e bashkisë Kuçovë se fshatrat e Lumasit kanë mungesë uji të pijshëm, kanë marrë përgjigje në këtë akt-ekpertim teknik.

Pas inspektimit të kryer në çdo fshat për identifikimin e burimeve të furnizimit me ujë,inxhinieret Meçaj e Vllamasi,kanë dalë me konkluzionin se fshatrat: Lumas, Pëllumbas, Bardhaj, Shegjëz e Vodëz kanë rrjete dhe burime publike (puse nëntokësore) të furnizimit me ujë dhe vetëm dy fshtrat Krekëz e Koritës, me 14 familje në total nuk kanë furnizim publik me ujë të pijshëm.

Akt-Ekspertimi Teknik konkludon se,fshati Lumas garanton furnizimin me ujë për fshatrat Lumas Qendër dhe Lumas 1 nëpërmjet rrjetit publik (dy puseve buzë lumit) dhe nëpërmjet ujësjellësit që mer ujë nga burimi i Sinecit; fshati Pëllumbas furnizohet nga rrjeti publik,me burim furnizimi një pus të çpuar pranë lumit që përshkon fshatin dhe uji pompohet në rezervuarin që ndodhet në Pëllumbasin e sipërm; fshati Bardhaj furnizohet nga rrjeti publik dhe burimi i furnizimit është një pus i çpuar pranë lumit dhe uji pompohet për në rezervuarin që ndodhet në pjesën e sipërme të fshatit dhe fshati Vodëz furnizohet nga një pus-çpim pranë lumit që përshkon fshatin dhe uji pompohet në rezervuarin që ndodhet në pjesën e sipërme të fshatit Vodëz.

Pas dorëzimit të këtij akt-ekspertimi,pritet vendimi nga Gjykata Administrative Vlorë në 1 Tetor. Në çështjen civile me nr.akti 1201,të depozituar në 6 Korrik 2021, banorët e Lumasit kanë paditur bashkinë e Kuçovës për "dhënie të paligjshme të lejes së ndërtimit në zonën e mbrojtur të Sinecit", ndërkohë që e paditur si palë e tretë është edhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco