Lajmi i fundit

Kërcënohet kryeministri i Kosovës Albin Kurti

VIDEO- SYRI TV/ Edhe Lushnja i dorëzohet Klodian Zotos 'pa kushte'

VIDEO- SYRI TV/ Edhe Lushnja i dorëzohet Klodian Zotos 'pa kushte'

12:38, 15/09/2021
A+ Aa A-

Lushnja është qyteti i radhës që rrezikon falimentimin nga faturat e mbetjeve për inceneratorët. Edhe pse bashkia më herët kishte hartuar një plan për menaxhimin e mbetjeve, i cili nuk u zbatua kurrë, sot kryebashkiakja Eriselda Sefa në detyrë deklaron se për menaxhimin e mbetjeve zgjidhja do të vijë nga inceneratori i Klodian Zotos. Por për zgjidhjen e njoftuar nga Sefa, deri më sot nuk ka asnjë vendim nga Bashkia apo Këshilli Bashkiak

Nga SYRI TV

Lushnja është qyteti i radhës i përfshirë në serinë e krizës së plehrave, të nisur këtë verë me Durrësin dhe nuk dihet ende se ku do të përfundojë.

Prej shumë ditësh, vend-depozitimi i mbetjeve në Lushnjë është përfshirë nga flakët, ndërkohë që kryebashkiakja në detyrë, Eriselda Sefa deklaroi se administrata lokale ka gjetur si zgjidhje për emergjencën mjedisore transporti i plehrave drejt inceneratorit të Fierit, një projekt ende i parealizuar nga kompania e Klodian Zotos.

Deri më tani, nuk është publikuar asnjë vendim i bashkisë apo Këshillit Bashkiak të Lushnjës për marrëveshje me kompaninë koncensionare të landfillit të Fierit, “Integrated Technology Treatmet Ëaste”.

Megjithatë, të dhënat zyrtare tregojnë se bashkia e Lushnjës ka parashikuar që në fillim të vitit 2020 që t’i bashkohej landfillit të Zotos në Fier.

Plani i Menaxhimit të Mbetjeve, i porositur nga bashkia e Lushnjës dhe i hartuar nga dy zyra projektimi para 18 muajve, ka dhënë si alternativë kryesore mbylljen e landfilleve ekzistuese në qytet dhe depozitimin e mbetjeve të qytetit në landfillin rajonal të Fierit.

Sipas këtij projekti, i miratuar në kohën që bashkia drejtohej nga Fatos Tushe, aktualisht i arrestuar nga SPAK për abuzim me tendera publikë, dërgimi i plehrave në koncensionarin e Klodian Zotos kishte kosto më të ulta se sa sistemimi i landfilleve që kanë funksionuar prej vitesh.

Por, projekti parashikonte disa investime paraprake, para se bashkia të vendoste t’i dorëzohej kompanisë koncensionare.

Sipas hartuesve të projektit, Bashkia duhet të ndërtojë së pari një pikë transferimi të mbetjeve, pra një zonë në të cilën do të bëhej fillimisht depozitimi dhe ndarja e mbetjeve sipas llojit të tyre.

Pas ndarjes, bashkia e Lushnjes mund të nxirrte përfitime duke shitur mbetjet e riciklueshme tek kompanitë e interesuara dhe duke shitur mbeturinat organike për sektorin bujqësor.

Ndërsa pjesën tjetër, atë që përbëhej nga mbeturinat urbane, do t’a dorëzonte pranë landfillit Zoto në Fier.

Kjo pikë transferimi, si edhe veçimi i mbetjeve, do të ulte kostot e transportit dhe depozitimit të mbetjeve pranë kompanisë “Integrated Technology Treatment Ëaste-Fier”.

Po ashtu, projekti në letër sugjeronte që bashkia e Lushnjes të gjente kompromisin me bashkinë fqinje të Divjakës për të ndërtuar së bashku Pika e Transferimit të Mbetjeve, duke përgjysmuar në këtë mënyrë kostot e menaxhimit të mbetjeve dhe transportit të tyre.

Pra, plani i vitit 2020 e parashikonte alternativën “Zoto” si më të favorshmen, vetëm nëse merreshin këto masa paraprake.

Në të kundërt, kostot e transportit dhe depozitimit të mbetjeve në landfillin rajonal të Fierit do të ishin shumë të larta dhe të pafavorshme për financat e bashkisë së Lushnjës.

Por, të dhënat nga terreni dëshmojnë se bashkia e qytetit nuk ka ndërmarrë asnjë masë paraprake, siç sugjerohet në Planin e Menaxhimit të Mbetjeve.

Nuk ka asnjë të dhënë që të jetë ndërtuar një Pikë Transferimi të Mbeturinave dhe ndarjen e tyre sipas llojit, megjithëse plani është hartuar që në fillim të vitit të kaluar.

Po ashtu, nuk rezulton asnjë e dhënë publike për nisjen e bisedimeve konkrete ndërmjet bashkisë së Lushnjës dhe asaj të Divjakës për të rakorduar procesin e menaxhimit të plehrave.

Ajo që dihet deri më tani është deklarata e kryebashkiakes në detyrë, Eriselda Sefa, e cila deklaroi se plehrat e Lushnjes do të depozitohen në landfillin e Klodian Zotos në Fier.

Plani i Menaxhimit të Mbetjeve përmend faktin se, në bazë të kontratës koncensionare, Bashkia e Lushnjes do të paguajë vetëm për transportin e mbetjeve.

Ndërkohë që, për 6 vjet, depozitimi i plehrave pranë landfillit të kompaninë koncensionare do të jetë pa pagesë, pasi kostot do të mbulohen nga qeveria, nëpërmjet Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit.

Pra, të ardhurat nga taksat kombëtare do të shkojnë, ndër të tjera, edhe për të paguar depozitimin e mbetjeve të Lushnjes në landfillin privat të Fierit, për faktin se administrata lokale nuk ka qenë në gjendje që të menaxhojë si duhet mbeturinat e veta.

Pas përfundimit të 6 viteve, edhe Bashkia e Lushnjes do të detyrohet të paguajë shoqërinë koncensionare.

Projekti shoqërohet edhe me një paralajmërim për Bashkinë e Lushnjes.

 “Bashkia duhet të jetë e përgatitur që pas kësaj periudhe 6-vjeçare të ketë mundësi të paguajnë kostot e depozitimit/djegies për sasinë e mbetjeve që do çojnë në landfill/incinerator. Për këtë arsye, bashkia Lushnjë duhet të parashikoje mundësitë financiare për pagesën e faturave të cilat do të jenë një zë i konsiderueshëm në koston totale të menaxhimit të mbetjeve urbane”.

Siç konstatohet në raport, tarifat e bashkisë për qytetarët janë të ulta dhe aspak të mjaftueshme për të përballuar kostot e faturave që do të duhet t’i paguhen në vijim kompanisë ‘Integrated Technology Treatment Ëaste”.

E vetmja zgjidhje duket se është rritja e çmimit që qytetarët e Lushnjes, njëlloj siç ka ndodhur edhe në Tiranë, Durrës, Kavajë, Shijak e Fier, qytete në të cilat ka shtirë aktivitetin “klani Zoto”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco