Dha burg përjetë për Lul Berishën, nuk kalon vetingun/ Liroi Lul Berishën, e kalon!

Dha burg përjetë për Lul Berishën, nuk kalon vetingun/ Liroi Lul Berishën, e kalon!

15:28, 04/08/2020
A+ Aa A-

Ditën e sotme, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konfirmuar në detyrë Gjyqtaren e Apelit të Durresit, Anita Mici, e cila është hetuar për të tre kriteret e vlerësimit.

Komisioni i ka kërkuar shpjegim gjyqtares për lirimin me kusht të kreut të bandës së Durrësit, Lulzim Berisha, ku Anita Mici ishte në trupën gjykuese. Por në arsyetimin e saj, gjyqtarja e ka cilësuar këtë vendim, mjaft të diskutueshëm jo vetëm në opinionin publik, por edhe atë të juristëve, si të bazuar në ligj. Gjithashtu ajo ka pranuar se kërkesa e prokurorit për refuzimin e lirimit të Berishës, nuk ishte marrë parasysh.

`Bingoja` e lirimit të parakohshëm nga burgu për ish-kreun e bandës së Durrësit, Lulzim Berisha, u vulos më 5 dhjetor 2016 nga Gjykata e Apelit Durrës, konkretisht nga Arben Vrioni kryesues i trupës dhe anëtarë Anita Mici dhe Petrit Çenon. Në këtë vendim të bujshëm u arrit pas një serie vendimesh të tjera të diskutueshme gjyqësore për ulje dënimi, raporteve që e përshkruajnë atë si “të dënuar shembullor” dhe një garanci për punësim të ofruar nga vetë ish-kryebashkiaku Vangjush Dako.

I arrestuar më 6 prill 2006, Lulzim Berisha, ka qëndruar fizikisht vetëm 10 vjet e tetë muaj në burg nga dënimi i tij i përjetshëm që u konvertua në 25 vite.

Sipas relatores në komisionin e vetingut, Mici ka shpjeguar se analiza e kryer për riedukimin e ish-kreut të bandës së Durrësit, bazohej në raportet e institucioneve përkatëse, sipas të cilave sjellja e Berishës ishte “shumë e mirë”.

Gjyqtarja Anita Mici këmbënguli edhe vetë gjatë seancës dëgjimore, se është e drejta e të dënuarit Berisha për t’u rehabilituar.

“Prokurori rekurson uljen e dënimit me 45 ditë, por ai vendim është i drejtë. Ulja e dënimit është sinteza e një viti sjellje të mirë. Qëllimi i dënimit nuk është ndëshkimi, por rehabilitimi. Ulja e dënimit tregon se i dënuari ka treguar nivel rehabilitimi. Prokurori e kupton keq ligjin procedurial,” tha Mici në seancë, duke iu referuar qëndrimit kundërshtues të prokurorit për lirimin e Lulzim Berishës.

Nga ana tjetër i njëjti Komision i Pavarur i Kualifikimit më 21 qershor të këtij viti pasi i bëri “veting”, shkarkoi nga detyra gjyqtarin pranë Apelit për Krimet e Rënda në Tiranë, Gurali Braimllari, i cili ishte njëkohësish edhe kandidat për Gjykatën Speciale.

Braimllari në karrierën e tij bën “kryq” me gjyqtaren Mici, pikërisht për çështjen e Lul Berishës.

I pari e kishte dënuar me 4 burgime të përjetshme për të paktën 6 vrasje të faktuara nga prokuroria, trafik droge dhe krim të organizuar. Kurse Mici, edhe pse komisioni i vetingut bëri sikur hodhi dyshime, e ka liruar fare nga burgu “si çun të mirë”, që ka të drejtë të rehabilitohet në liri.

Më 16 janar 2012, Lulzim Berisha ishte dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda për 6 vrasje dhe disa atentate dhe pavarësisht ankimimit të fortë, vendim u la në fuqi edhe nga Apeli, e pikërisht nga trupa ku bënte pjesë Braimllari.

Por pavarësisht nga kjo, Berisha arriti që të sigurojë një vendim të Gjykatës së Lartë në vitin 2014, i cili rrëzoi dënimin maksimal dhe vendosi 25 vjet burg për ish-kreun e bandës së Durrësit.

Kjo është historia paralele e dy gjyqtarëve që kanë pasur të bëjnë në karrierat e tyre me një nga emrat më të mëdhenj të krimit në Shqipëri: Njëri kalon vetingun se liroi Lul Berishën, tjetri nuk “e meritonte” edhe pse i dha 4 burgime të përjetshme.

Së fundmi SPAK ka njoftuar se do të hetojë të gjithë procedurën e lirimit nga burgu të të dënuarve me burgim të përjetshëm, ku përfshihet edhe çështja e Lul Berishës.

Por kjo nuk e pengoi Komisionin e Vetingut ditën e sotme që pavarësisht se bëri pyetje dhe bëri sikur hodhi dyshime për vendimin e saj të paprecedent, ta nxirrte të denjë për sistemin e ri të drejtësisë, gjyqtaren Anita Micin.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shtetrrumpalle 04/08/2020 18:50

SYRI mos valle ata qe kalojne vetingun pervec blejne vetingashet blejne edhe heshtjen e mediave ?

rruga elbasanit04/08/2020 18:49

ku eshte ambasadorja amerikane. sa bertet ajo per reformen ne drejtesi

Landi04/08/2020 17:19

Anglosaksonit tak ngjala, ja thate kete lajm ??!!

Shtetrrumpalle 04/08/2020 16:24

Vetingu kalohet në 2 menyra: 1- o je i preferuar i eDRAMES 2- o dhuron minimumi nje hyrje te “vobekteve” te KPK, KPA. ONM mbron kalane prej m_ti qe ka ngritur vete.

t04/08/2020 16:11

Vafshi ne te sëmes ju vetingaret dhe spakarët

Shto koment

Denonco