Lajmi i fundit

PIRANJAT/ Me Florian Binaj dhe Dojna Mema

'Mos i nënvlerësoni infermierët e pambrojtur, se nuk do ju mbrojnë konçesionarët'

'Mos i nënvlerësoni infermierët e pambrojtur, se nuk do ju mbrojnë konçesionarët'

11:49, 14/07/2020
A+ Aa A-

Nga Elson Jaçaj, Presidenti i Shoqatës së Infermierëve të Shqipërisë

Shoqata e Infermierëve të Shqipërisë shpreh keqardhje ndaj deklaratave të bëra në drejtim të personelit shëndetësor e sidomos ndaj infermierëve, duke i fajësuar për rastet e shtuara nga bluzat e bardha të prekur me COVID-19.

Në dijeninë tonë, që në hapat e para kur u identifikuan të prekurit e parë me COVID-19, ishin pikërisht infermierët që si në çdo rast janë kontakti i parë me pacientin, të cilët jo vetëm shërbyen me sakrificë, por u infektuan duke shërbyer dhe a e dini pse?!

Sepse nuk ishin marrë masa për këtë pandemi që kur u ngrit alarmi për përhapjen e këtij virusi.
A e dini pse?!

Sepse nuk ishin siguruar materialet e nevojshme për mbrojtjen e personelit shëndetësor.
A e dini pse?!

Sepse nuk ishte trajnuar personeli shëndetësor se si duhet të sherbente e njëkohësisht si të mbrohej ndërsa shërbente.
A e dini pse?!

Sepse nuk ka kapacitet mjaftueshëm për këto të sëmurë dhe nuk ka higjenë spitalore të përshtatshme as për këto të sëmurë e as për personelin shëndetesor. Pra, nuk është se kanë tangërllëk mjekët dhe infermierët, prandaj infektohen, sepse s’po përdorin maskat.

Por a e dini që përdorimi i maskave kirurgjikale nga ana e personelit shëndetesor nuk i mbron ata por duhen maska cilësore profesionale me filtër (FFP3 etj)?!

A e dini që një maskë kirurgjikale nuk përdoret më shumë se tek nje pacient, pasi përbën burim transmetimi të infeksionit për pacientët e tjerë apo dhe për vet personelin, por ja që personelit i jepet një maskë e thjeshtë kirurgjikale për të shërbyer gjatë gjithë orarit të punës (8,12 apo 16 orë). Çfarë tregon kjo, që personeli është fajtor?!

A e dini që pacienteve u duhet bërë triazhi para se të futen në ambientet e një spitali apo qendre shëndetësore?!

Sa prej pacientëve u bëhet kjo?!

A e dini se si janë kushtet dhe higjena në spitale dhe qendra shendetësore sot?!

Pra, është prapë faji i personelit shëndetësor, që nuk ka as kushtet më minimale për të shërbyer?!

Pse nga heronjtë e kësaj lufte po cilësohen fajtorë dhe kjo jo për faj të tyre.

Pse një herë të vetme s’kanë guximin të pranojnë që të gjithë llojet e qeverive, të gjithë ministrat e të gjithë deputetët, vetëm kanë abuzuar në sistemin shëndetësor dhe asnjë nuk ka investuar realisht në shëndetësi ndaj personelit shëndetësor dhe ndaj pacientëve, por vetëm në fasada të jashtme për të justifikuar tenderat e tyre.

A dini sa personel shëndetësor ka ikur nga vendi vetëm nga keqtrajtimi që i bëhet?!

A e dini sa personel shëndetësor është infektuar në vend?!

Nëse vazhdohet me këtë ritëm me largim dhe infektime, kush do të shërbejë në ditët në vazhdim?!

Deputetët?!

Koncesionarët?!

Administratorët?!

Koordinatorët?!

Apo do të kërkohen sërish vullnetarë, pasi dhe pse është një numër i konsiderueshëm infermierësh, që prej vitesh presin për t’u punësuar, kjo nuk bëhet.

Kur do të ndërgjegjësoheni për të investuar realisht në shëndetësi dhe kur do të ndërgjegjësoheni vërtet për ta vlerësuar personelin shëndetësor që ju ka ngelur akoma pa ikur?!

Nesër kush do t’ju shërbejë në këto spitale dhe qendra shëndetësore që po boshatisen dita ditës?! Kur do të mësoni ta kuptoni vlerën dhe rëndësinë e infermierëve?!

Nëse sot është vonë... nesër do të jetë e pamundur të bëhet.

Uroj të reagoni sa më shpejt.

Një thirrje që i drejtohet çdo individi që ka ndikim tek sistemi shëndetësor, që nga Kryeministri, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, çdo deputeti të Kuvendit, opozitës, çdo koncesionari, çdo qytetari të thjeshtë dhe çdo pacienti: Mos i nënvlerësoni mjekët dhe infermierët, sepse pa to asnjë qeveri dhe asnje shtet nuk do të mund të funksiononte.

Nga Elson Jaçaj
President i Shoqatës së Infermierëve të Shqipërisë

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco