Pse është Nju Orleans një pikë e nxehtë e koronavirusit?

Pse është Nju Orleans një pikë e nxehtë e koronavirusit?

22:13, 03/04/2020

Koronavirusi ka qenë shumë më vdekjeprurës në Nju Orlins, sesa në pjesën tjetër të Shteteve të Bashkuara, me një përqindje viktimash në raport me popullsinë, tre herë më të lartë se sa qyteti i Nju Jorkut. Sipas mjekëve, zyrtarëve të shëndetit publik dhe të shifrave të disponueshme, nivelet e larta të obezitetit në këtë qytet dhe sëmundjet e lidhura me të mund t’i bëjnë pacientët më të prekshëm nga COVID-19. Numri i viktimave në këtë qytet është 125.

Rebekah Gee, ish-Sekretare e Shëndetësisë për Luizianën, drejton divizionin e shërbimeve shëndetësore të Universitetit Shtetëror të këtij shteti.

“Obeziteti kontribuon tek diabeti që dëmton veshkat dhe koronavirusi sulmon veshkat. Obeziteti është gjithashtu i lidhur me sëmundjet e zemrës, të cilat janë të lidhura me varfërinë.Prandaj kjo krijon kushtet ideale për një sëmundje kronike”, thotë ajo.

Koronavirusi është më shumë vdekjeprurës për ata që kanë probleme të shumta me organet. Rreth 97%prej atyre që janë vdekur nga COVID-19 në Luiziana, kishin një problem shëndetësor ekzistues, sipas departamentit shëndetësor të këtij shteti.

40 për qind e viktimave kishin diabet, 25 për qind obezitet, 23 për qind sëmundje veshkash dhe 21 për qind probleme kardiake.

"Të gjithë, administrata, fakultetet e mjekësisë, spitalet, të gjithë po kontribuojnë për të ndihmuar mjekët, infermierët, terapistët për të përballuar një fluks shumë më të madh pacientësh në gjendje kritike, se sa ç’kemi normalisht aftësinë për të trajtuar”, thotë mjeku i njësisë së kujdesit kritik në Spitalin e Universitetit Shtetëror të Luizianës, në Nju Orlins, Kyle Happel.

Gjendja në Nju Orlins mund të jetë një paralajmërim për shtimin e numrit të rasteve në shtete të tjera të Jugut dhe pjesës qendrore të vendit, me përqindje të larta problemesh me mbipeshën, diabetin dhe hipertensionin.

Sipas një raporti të Qendrës për Kontrollin dhe Paralajmërimin e Sëmundjeve, 78 për qind e pacientëve me COVID-19 në qendrat e kujdesit intensive në Shtetet e Bashkuara, kishin një problem shëndetësor ekzistues.

Mjekët në Luiziana thanë se kjo përputhet me gjendjen në shtetin e tyre dhe me atë që kanë kaluar vende si Italia dhe Kina. Dr. Happel thotë se është një pyetje e arsyeshme nëse problemet ekzistuese shëndetësore apo imuniteti i dobët, e bëjnë të pamundur kontrollin e virusit.

"Ne mendojmë se një pjesë e mirë e mosfunksionimit të organeve që shohim tek COVID-I është rezultat i inflamacionit të tepruar të sistemit. Ne e dimë se në përgjithësi njerëzit obezë kanë inflamacion të vazhdueshëm”, thotë Dr. Happel.

Nju Orlins, është ndër zonat metropolitane më përqindjen më të lartë të banorëve me diabet, tension të lartë dhe obezitetit në Shtetet e Bashkuara, sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco