‘Thumbon’ Haradinajn, Mustafaj: Rama ka shkelur me dy këmbë Kushtetutën

‘Thumbon’ Haradinajn, Mustafaj: Rama ka shkelur me dy këmbë Kushtetutën

19:37, 20/01/2020
A+ Aa A-

Kryeministri Edi Rama përshëndeti rivendosjen e linjës ajrore mes Prishtinës dhe Beogradit. Në mesazhin e tij, ai kishte edhe një ‘thumbim’ për homologun në detyrë nga Kosova, Ramush Haradinaj.

“E përshëndes me kënaqësi marrëveshjen e sotme për fluturimet Prishtinë-Beograd, që siç tha Sekretari i NATO-s është “një hap i rëndësishëm  për qarkullimin më të lehtë të njerëzve e mallrave në Ballkanin Perëndimor”. Ka ende shumë hapa për të bërë me vizion e kurajo në atë rrugë! Shumë mirë bëri edhe Ramushi që e përshëndeti këtë hap. Paqja është tejet e vështirë, por në asnjë rast ajo nuk fitohet me mjetet e luftës dhe popullariteti i përkohshëm që sjellin nganjëherë ato mjete, nuk i sjell asnjë hajër popullit e vendit”, shkruan Rama.

Ky koment vjen pasi Rama ka vendosur të padisë për shpifje homologun kosovar, në një lëvizje të pazakontë. Edhe ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, në një analizë te Panorama thotë se diçka e tillë është e padëgjuar në analet e diplomacisë.

Mustafaj shkruan se Rama e sheh Kosovën si prefekturën e 13-të të çifligut të tij.

“Është njerëzore që Kryeministri i një vendi të ndihet edhe personalisht i lënduar në sedër nga deklaratat publike të Kryeministrit të një vendi tjetër, pavarësisht se ç’është thënë nuk prek jetën e tij private, siç del të jetë ndierë i lënduar Edi Rama nga analizat apo vlerësimet e homologut të tij kosovar, lidhur me projektin famëkeq për shkëmbime territoresh midis Kosovës dhe Serbisë si mënyrë për të arritur te një marrëveshje përfundimtare midis dy vendeve. Por një lëndim të tillë, sado i dhimbshëm të jetë ai, njeriu Edi Rama duhet ta mbajë për vete si një nga plagët e shumta, me të drejtë apo jo, që merr gjithkush ngjitet atje lart. Plagë të tilla janë pjesë e fatit të udhëheqësit. Cenimi i nderit të kryetarit të qeverisë është vetvetiu gjithmonë cenim i nderit të shtetit, të cilin udhëheq ai, që do të thotë se është cenim i nderit të secilit qytetar të këtij vendi, qoftë ky mbështetës apo jo i Kryeministrit të vet. Legjislacioni ndërkombëtar nuk ka parashikuar ende ndonjë gjykatë mbikombëtare për t’u ankuar kryeministrat sedërlinj. Në rrethana të tilla, shteti ka instrumentet e veta të provuara nga historia për të mbrojtur nderin e Kryeministrit, si mbrojtje që shteti i bën nderit të vet dhe njëherësh nderit të të gjithë qytetarëve të tij pa dallim,” shkruan Mustafaj.

“... Edi Rama, siç dëshmohet edhe një herë, nuk është në këto kushte. Ai nuk është as burrë shteti, as njeri normal dhe as nuk e njeh Republikën e Kosovës si shtet sovran. Rrjedhimisht, me padinë e tij është bërë qesharak, duke hedhur stërkalat e këtij turpi mbi shtetin tonë dhe të gjithë ne. Por kjo është e keqja më e vogël. Duke injoruar sovranitetin e Republikës së Kosovës si shtet, ai shkel me të dyja këmbët një detyrim të madh që i buron nga preambula e Kushtetutës, mbi të cilën është betuar dy herë radhazi kur ka marrë mandatin e Kryeministrit”, thekson Mustafaj.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco