‘Urtësia për t’i dhënë fund marrëzisë’

‘Urtësia për t’i dhënë fund marrëzisë’

11:32, 12/06/2019
A+ Aa A-

Nga Shezai Rrokaj/

Qëndrimi i Presidentit të Republikës është tregues i rastit kur përgjegjësia anon nga shteti dhe jo nga pushteti. Dallimi kryesor midis një burri shteti dhe një politikani është se burri i shtetit vë interesat e vendit para interesave të veta politike, kurse politikani vë interesat e veta politike para interesave të vendit.

Presidenti ishte i qartë në parashtresën që u bëri shqiptarëve. Zgjedhje do të thotë të zgjedhësh midis alternativave. Vetëm mazhoranca pa opozitën nuk garanton funksionimin e sistemit demokratik. Mungesa e konkurrencës në mbi 50 bashki, ku kemi vetëm një kandidat, apo në disa bashki të tjera me kandidatë figurantë, pa përfaqësim të opozitarizmit real, i kthen zgjedhjet në farsë dhe pluralizmin e bën qesharak.

Zgjedhjet e njëanshme do të kompromentonin rëndë parimet kushtetuese të një shteti demokratik, anëtar i NATO-s, si dhe do të shënonin një hap mbrapa për çeljen e negociatave dhe integrimin e Shqipërisë në BE.

Presidenti ndërhyri në cilësinë e garantit të Kushtetutës dhe të respektimit të saj në frymë e në germë. Siguria e rendit kushtetues, e unitetit të popullit, nga njëra anë dhe garantimi i pluralizmit politik për të mos rrëshqitur në votime moniste, është përgjegjësi e gjithë lidershipit politik, por mësëpari ajo është përgjegjësi e Kreut të Shtetit.

Dekreti për të shmangur konfliktin social, për të mos lejuar një proces elektoral fasadë, në kushtet kur situata në vend pengon zgjedhje demokratike e gjithëpërfshirëse, është një akt shtetari që buron nga përgjegjësia e tij kushtetuese për kontrollin e balancimin e pushteteve, të shprehura në raportet midis ekzekutivit dhe gjyqësorit. Nisur nga kjo përgjegjësi Presidenti u dha një mundësi për dialog palëve, në mënyrë që ato të heqin dorë nga demonstrimi i muskujve dhe të kenë përgjegjshmëri për të mirën e vendit.

Përkundër këtij qëndrimi të Presidentit, kryeministri Edi Rama e ka zgjeruar së tepërmi drejtimin autokratik të shtetit duke kontrolluar deri tani me dorë të fortë pushtetin parlamentar, pushtetin ekzekutiv, prokurorinë e, në vijim, institucionet e reformës në drejtësi, madje, siç është shprehur vetë, ai po synon të marrë krejt bashkitë e vendit. Këto janë synime të mbrapshta të një modeli politikanësh me bollëk në tranzicionin shqiptar. Të gjitha për vete. Të drejtosh nëpërmjet anatemimit të kundërshtarëve politikë.

Në një vend ku ka përgjegjshmëri politike, sociale e kombëtare spektri politik duhet të bashkëpunojë me hapa konkretë për zgjedhje të pablera në bashkëpunim me krimin e organizuar. Për tërë klasën politike duhet të jetë kambanë alarmi kur zgjedhjet nuk janë pluraliste, kur sistemi demokratik pluralist cenohet, kur ka rrezik për konflikt social që mund të deformojë rendin kushtetues.

Babëzia për tepsinë dhe ruajtjen e interesave të oligarkëve po ia humbet arsyen për detyrimin që ka mazhoranca për të garantuar zgjedhje të lira dhe të drejta. Me kryeneçësi, ajo do që t’i bëjë zgjedhjet, pavarësisht nga kostot sociale dhe imazhin të vendit në prag të çeljes së negociatave. I është tiposur t’i marrë të gjitha pushtet, “ta shkarkojë” Presidentin, madje edhe të shkatërrojë opozitën për të ndërtuar një tjetër, si e do ajo.

Ju keni të drejtë, z. Kryeministër, kur thoni se duhet zbatuar Kushtetuta, se populli ka të drejtën e votës një herë në katër vjet. Por ama, çfarë e drejte do të ishte kjo nëse zgjedhjet janë jopluraliste, pa alternativa, në një situatë të një konflikti social? Ndaj, të lëmë mënjanë marrëzinë dhe të vëmë në punë urtësinë e cila na mëson se çdo vendim është i drejtë nëse të fituar dalin qytetarët, nëse fiton apo ruhet pluralizmi, nëse demokracia e stabiliteti prevalojnë ndaj diskurseve të ngurta teknokrate me ligje e nene, të cilat volendo dolendo nxisin tensione sociale. Vetë zgjedhjet pa dekret janë një puç institucional. Një përplasje sociale do ta kthente historinë e shqiptarëve në pikën fillestare. Çdo akt juridik duhet të vihet në baraspeshë me dobinë publike dhe parimet e stabilitetit social.

Përdorimi i KQZ-së si “mish për top” për të kundërshtuar dekretin tregon se ajo është nën diktatin politik, kur është e qartë se ajo vetëm duhet të zbatojë dekretin e Presidentit dhe nuk ka kompetencë për ta kundërshtuar. Fund marrëzisë! Është e nevojshme që politika të largohet nga ky mllef e vënie thikash majë më majë dhe t’i thërrasë arsyes sa nuk është vonë! T’i thërrasim të gjithë arsyes me urtësi dhe të bashkëpunojmë për të mirën e vendit! Prandaj, është radha Juaj z. Rama: vishni kostumin e burrit të shtetit, nëse doni që t’Ju ndjekë historia. Në mos do të përndiqeni prej saj. Hiqni dorë nga kjo lloj burrërie politikani, që është marrëzi dhe zëvendësojeni atë me urtësinë e burrit të shtetit prej së cilës dalin të fituar qytetarët dhe Ju vetë.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Rabbi Yahudda12/06/2019 11:51

Sa shpejt sinkronizohet ligesia ne jetën shoqërore shqiptare? A janë njerëz me ndjenja, me emocione këta mijëra e mijëra socialistë që u del bretku përditë të sigurojnë bukën? Apo ngushëllohen me faktin se politika e shtëpisë së tyre u ka futur një fëmijë në punë shtet? Mos bre, mos. Zgjohuni e dilni nga rreshti i diktatorit se si Mehmet Shehu, e Kadri Hazbiu do t,ju trajtoje SorroDiktatura.

Shto koment

Denonco