Lajmi i fundit

LIVE/ Kuvendi i Shqipërisë në seancë plenare

‘Kemi djegur vetëm thasët bosh’-Iriqi bisedon me një nga hajdutët e Rinasit

‘Kemi djegur vetëm thasët bosh’-Iriqi bisedon me një nga hajdutët e Rinasit

13:54, 23/04/2019
A+ Aa A-

Hajduti: - Alo? Alo? Iriqin kërkoj.

Iriqi: - Fol, Iriqi jam.

Hajduti: - Thuaji atij ministër Lleshit se po ia fut kot. Paska thënë që ne kemi djegur paratë. Vetëm thasët bosh dogjëm. Parave ua caktuam vendin. Po të jetë i zoti le t’i gjejë.

Iriqi: - Kush je ti?

Hajduti: - Jam një nga ata që përlamë dhjetë thasë me euro.

Iriqi: - Policia thotë se jeni 12 copë hajdutë.

Hajduti: - Po pse duheshim kaq shumë? Në Rinas edhe i vetëm vjedh aeroplanin komplet. Por nuk dinim ta ngisnim ndaj e lamë hë për hë. Se mbase ndonjë ditë kur të jetë Rama i hipur do e çojmë aq larg Shqipërisë sa do gëzohet i madh e i vogël dhe bustin tim do e vendosin në krah të Ismail Qemalit. Ky krijoi shtetin, do thonë për plakun e Vlorës, ky shpëtoi shtetin, për mua. Dhe do jetë goxha bust se jam dhe i pashëm dhe i ri dhe i mençur.

Iriqi: - Si e bëtë planin ?

Hajduti: - Po ç’plan zeza. Unë po përcillja një shok në Vjenë. Kur ai më tha, do vonohemi pak se nuk kanë ardhur paratë. Ç’para, e pyeta. Të bankave, i transportojnë me avion, më tha. Ika drejt makinës sime dhe sa erdhën thasët nxora pistoletën e ujit që lag gocat në shkollë. U dhjenë policët. Mos u trembni, por ngarkoni në furgon krejt paratë. Për një minutë u mbush furgoni. Ngeli një thes në tokë, e shkeli një polic pa dashje. Mos e shkel, hej të shitoftë zana, i bërtita. Qenka tropojan, i tha polici shokut. Hahaha, ndaj barcoletat bëhen me policë. Pastaj ika drejt një ferre. Dogja furgonin dhe u kthyem me betonieren e shokut tim. E rrotullonim kur kalonim para policëve, iu morën mendtë eurove aty brenda. Ja, kaq.

Iriqi: - Sikur keni ikur nga tunelet...

Hajduti: - Po pse do iknim nga tunelet? E nxë betonierën atje.

Iriqi: - Nga Elbasani je ti?

Hajduti: - Kam një të dashur në Elbasan. Yll e bukur është.

Iriqi: - Ministri po thotë se shumë shpejt do iu kapë.

Hajduti: - Kur Lleshi ka hedhur gaz mbi turmat një sasi e ka gëlltitur vetë. E është si i çekuilibruar, i ziu. Sa kapën vrasësin e Tan Santos aq do na kapë dhe ne. Por po i jap ca të dhëna. Morëm euro sa  shtatë-fishin e popullsisë shqiptare, emri im nis me L dhe mbaron me I. Jam 21 vjeç, nga qyteza e R.... dhe kam shok Xhelo Qorrin.

Iriqi: - Keni plan për grabitje tjetër?

Hajduti: - Kemi para boll. Do vjedhim veç Ramën sa të na bëjë portretet tona.

Iriqi: - Ne se nuk ia arrini a mund të vidhni Taulantin në vend të tij?

Hajduti: - Që të na ngelet në derë. Askush nuk jep gjë për të.

Iriqi: - Mbase shihemi ndonjë ditë.

Hajduti: - Atje na ke. Rreth Rinasit. Luajmë me oraret e avionëve. Nga që na hoqi llotot. Gëzohemi kur humbim se akoma nuk është harxhuar gjysma e thesit të parë. Ngelëm një javë duke i numëruar aq shumë ishin, megjithëse të gjitha prerje 500.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco