Parajsa ekonomike e mafias. Qeveria sekuestron vetëm 0.4% të pronave të krimit

Parajsa ekonomike e mafias. Qeveria sekuestron vetëm 0.4% të pronave të krimit

10:42, 19/05/2018
A+ Aa A-

Shqipëria është kthyer në një parajsë ekonomike për krimin, ku organizatat kriminale gjenerojnë çdo vit qindra milionë euro pa patur frikë se këto para mund t'ju sekuestrohen nga ligji.

Ndonëse industria e krimit në Shqipëri gjeneron çdo vit miliarda euro, vitin e kaluar Drejtoria për Parandalimin e Pastrimit të Parave, sekuestroi vetëm 8 milionë euro prona të krimit. Kjo është një nga normat më të ulëta të sekuestrimit të parave që burojnë nga veprat e jashtëligjshme duke e shndërruar Shqipërinë një parajsë të vërtetë ekonomike për krimin, shkruan SYRI.net.

Edhe pse industria e krimit është zgjeruar në përmasa të frikshme, shuma e parave që bllokohen vazhdon të mbetet minimale duke inkurajuar edhe më shumë kriminalizimin e ekonomisë.

Biznes miliarda euro

Sipas një raporti zyrtar të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, vetëm trafiku i drogës mendohet se gjeneron të paktën 300 milionë euro në vit në ekonominë shqiptare. Por ky është një vlerësim konservator, pasi publikisht ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchardt ka deklaruar se të ardhurat nga trafiku i drogës në Shqipëri vlerësohen deri në 2 miliardë euro në vit.

Këto janë të ardhurat që vijnë vetëm nga trafiku i drogës. Nëse përfshihen edhe burimet e tjera të krimit, si korrupsioni apo trafiqet e tjera, atëherë industria e krimit në Shqipëri është shumë më e madhe.

Por ndonëse shifra e saktë e të ardhurave që siguron sindikata e krimit në Shqipëri është objekt debati, një gjë është e sigurtë. Kriminelët i gëzojnë të ardhurat marramendëse të pashqetësuar fare nga shteti.

Shifra e aseteve të bllokuara vitin e kaluar është më pak se 0.4 për qind e parave që mendohet se gjenerojnë organizatat kriminale në Shqipëri. Sipas të dhënave zyrtare nga Europol, në vendet e Bashkimit Europian, autoritetet bllokojnë një përqindje të paktën 5 herë më të lartë të parave të krimit nga ajo që sekuestron Shqipëria.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco