Goditja e Edi Ramës ndaj bashkimit të opozitës vë demokracinë në rrezik!

Goditja e Edi Ramës ndaj bashkimit të opozitës vë demokracinë në rrezik!

Nga Bujar Leskaj - 23/10/2023

Duke parë i tmerruar ngritjen në këmbë të opozitës dhe nisjen e bashkimit të saj, Rama po e (keq)përdor sot shumicën socialiste të Kuvendit, jo vetëm si noter të rëndomtë të ligjeve të tij të kapura, të denoncuara botërisht nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Transparency International, por si mburojë dhe armë, për të asgjësuar opozitarizmin në Shqipëri, duke mos i mundësuar opozitës reale ngritjen e komisioneve parlamentare.

Sekti Rama kërkon asgjësimin e opozitës reale të vendit

Tentativat e sektit Rama në qeverisje, për të anihiluar opozitën e vendit kanë kulmuar në javën e fundit, ndërkohë që opozita, kësaj rradhe në bashkim e sipër, ka kërkuar me këmbëngulje në Kuvend ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare, si një e drejtë legjitime e kushtetuese, në themel të demokracisë në vendin tonë.
Bashkimi gradual i opozitës, i cili po ndodh kohët e fundit, e ka tmerruar sektin Rama në qeverisje. Si kundërpërgjigje, Rama përgatiti dhe injektoi masat më ekstreme ndaj opozitës së bashkuar në Kuvend.

Katër ditë më parë, deputetët e opozitës përjashtohen në masë(26 deputetë të saj) nga punimet e Kuvendit, pse vijuan të kërkojnë me këmbëngulje ndryshimin e përbërjes nga opozita të Komisionit për Reformen Zgjedhore, një komision ky i ngritur që në shkurt 2022, i cili nuk ka bërë asgjë në tre mandate 6-mujore të tij.

Opozita ka kërkuar rigjenerimin e Komisionit për Reformen Zgjedhore, në mënyrë që puna e tij të çojë vërtet në dhënien fund të administratës zgjedhore politike, të administratës zgjedhore të përfaqësuesve të partive, për ta shndërruar administratën zgjedhore në një administrate të depolitizuar, që i shërben vetëm procesit dhe që respekton ligjin.

Sekti Rama në qeverisje, e ka snobuar në vijimësi këtë kërkesë të artikuluar me forcë jo vetëm nga opozita, por edhe nga raportet e fundit të misioneve të OSBE-ODHIR-it, duke e nënshtruar tërësisht Parlamentin dhe prodhuar pagojësinë dhe pafuqinë e plotë të deputetëve të shumicës parlamentare, për ta shtyrë përpara reformën zgjedhore. 
Që nga janari i ketij viti, opozita vijoi të kërkojë me këmbëngulje ngritjen e një komisioni parlamentar, për hetimin e përfshirjes së kryeministrit Rama në aferën Charles McGonigal, një ish-zyrtar të lartë të FBI-së, i cili po hetohet në SHBA nën akuzën se ka marrë shuma të mëdha parash nga një oligark rus dhe nga një sipërmarrës shqiptar me banim në SHBA, si dhe ka përfituar udhëtime me shpenzime të mbuluara në Tiranë dhe vende të tjera në Ballkan. Korruptimi i një zyrtari amerikan të lartë të FBI-së, për të sajuar akuza dhe rrethana të rreme për kundërshtarët politikë, është jo vetëm krim, por dhe akti më i rëndë që ka ndodhur në këto 30 vite në marrëdhëniet Shqipëri-SHBA.
Asnjë kryeministër në vendet demokratike nuk përdor para të pista, për të korruptuar zyrtarë amerikanë, që këta t’i shërbejnë për të goditur kundërshtarët e tij politikë në vendin e tij. Si përgjigje, deputetët e opozitës morën përjashtimin nga punimet e Kuvendit, gjoja në emër të pengimit të punimeve normale të tij.

Deputetët e opozitës kërkuan ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar, për hetimin e përdorimit të të dhënave personale të qytetarëve shqiptarë, pas skandalit të madh të patronazhistëve dhe shfrytëzimit të të dhënave sensitive dhe konfidenciale të të gjithë shqiptarëve(numri i tyre i kartës së identitetit, i telefonit celular, i llogarisë bankare, i targës së makinës, etj.) për qëllimet zgjedhore të partisë në pushtet. Edhe kjo kërkesë u refuzua nga sekti Rama në pushtet dhe, si pergjigje, deputetët e opozitës morën përjashtimin nga Kuvendi.

Opozita duhet të kërkojë me këmbëngulje ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për procedurat e dhënies së investimeve strategjike, pas abuzimeve të panumurta dhe keqperdorimit masiv të evidentuar gjerësisht, të Ligjit famëkeq Nr. 55/2015, për Investimet Strategjike, duke ua marrë me forcë tokën në bregdet qytetarëve, zotërues të ligjshëm të titujve të pronësisë.

Deputetët e opozitës janë në të drejtën e tyre kushtetuese për t’i ngritur këto komisione, pasi ata që kërkojnë ngritjen e tyre dhe ndryshimin e përbërjes nga opozita të Komisionit parlamentar për Reformën Zgjedhore, janë më shumë se një e katërta e Kuvendit. Neni 77 i Kushtetutës, Pika 2 e tij, e thotë shprehimisht se “Kuvendi ka të drejtë dhe, me kërkesë të një së katërtës së të gjithë anëtarëve të tij, është i detyruar të caktojë komision hetimi për të shqyrtuar një çështje të veçantë”. Por Rama, ky i ashtuquajtur “Lider Global”, nuk e ka për asgjë të shkelë Kushtetutën e vendit dhe të bllokojë nismat parlamentare të opozitës, duke provuar, ose ta nënshtrojë, ose ta asgjësojë atë. Veç, kësaj rradhe, i ka hasur sharra në gozhdë!

Rama përdor fishekun e fundit: policinë!

Rama, duke e urryer gjenetikisht opozitën, nuk ndalet përpara asnjë mjeti, për të nënshtruar dhe stopuar aksionin opozitar. Pasi i ka provuar të gjitha, që të blejë, të trullosë, të paralizojë dhe të kompleksojë opozitën, parmbrëmë përdori fishekun e fundit, policinë.

Parmbrëmë, ndërsa Kryetari i Partisë Demokratike dhe i opozitës së vërtetë të vendit, Prof. Dr. Sali Berisha, ishte në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp në selinë e Partisë Demokratike, dy përfaqësues të Policisë së Shtetit hynë në ambientet e selisë së Partisë Demokratike, në prani të kamerave televizive. Ky pseudo-“spektakël policor” dhe demonstrim force, tregoi natyrën e shtetit policor të Ramës dhe i ka revoltuar të gjithë shqiptarët.

Si mund të shkojë Policia e Shtetit në selinë e partisë politike kryesore opozitare të vendit, për të zbatuar një masë për detyrim paraqitje të Kryetarit të Partisë Demokratike, e cila nuk është aspak ligjore, por atentat, sulm politik?!

Masa e cënimit të lirisë të një deputeti të Kuvendit të Shqipërisë, pa miratimin e Kuvendit të Shqipërisë, përbën shkelje flagrante të Kushtetutës dhe pikërisht të Nenit 73, Pika 2 e tij, që shprehimisht cilëson se “Deputeti nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në çfarëdo lloj forme apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa autorizimin e Kuvendit”.

Policia e Shtetit nuk ishte as në anën e ligjit, as në frymën e ligjit, me inkursionin e parmbrëmshëm në selinë e Partisë  Demokratike, por u shndërrua në një vegël qorre të sektit Rama në qeverisje.

Procedura ligjore nuk lejon as edhe një banese delikuenti të kontrollohet pas orës 20.00 të darkës deri në 7 të mëngjesit, e jo më të ketë prani policore në një seli partie politike!

Kjo lëvizje vjen, ndërsa Kryetari i Partisë Demokratike ka deklaruar dy ditë më parë, se deputetët e opozitës janë gati dhe do të hyjnë edhe në grevë urie në Kuvend, që të respektohen të drejtat e tyre legjitime dhe kushtetuese, për ngritjen e komisioneve parlamentare.

Perspektiva e opozitës në grevë urie në Kuvend, ka tmerruar dhe njëkohësisht tërbuar Ramën. I ashtuquajturi “Lider Global” parashikon humbje masive pikësh në sytë e ndërkombëtarëve dhe ndërgjegjësim të tyre për mungesën flagrante të demokracisë funksionale dhe kapjen e plotë të shtetit në Shqipëri, nga oligarkët e sektit Rama në qeverisje, çfarë opozita reale e vendit me në krye Prof. Dr. Sali Berishën ka vite që e denoncon . 

Rama nuk po di ç’të bëjë më dhe po përdor Policinë e Shtetit, si mjetin-fishek të fundit, për të trembur dhe stopuar opozitën. E ka të kotë!

Aksioni opozitar do të vijojë i fuqishëm dhe syhapës për të gjithë shqiptarët, lidhur me rregjimin policor që klika Rama në pushtet po tenton të instalojë. Deputetët e opozitës do të jenë të pranishëm në çdo seancë të Kuvendit, duke denoncuar bllokimin e një pjese thelbësore të punës së tij nga ana e sektit Rama: ngritjen dhe funksionimin e komisioneve hetimore parlamentare. Rama le të dërgojë policinë, kësaj rradhe në Kuvend, për të ndaluar deputetët e opozitës.

xxx

Nuk ka më kthim mbrapa, me një rregjim që vetëm kërkon të trullosë me propogandë virtuale e koreografi tubimesh shqiptarët, ndërkohë që i grabit dhe i detyron ata të largohen masivisht nga vendi.     

Përballja me regjimin e Ramës, që do të mbysë dhe anihilojë opozitën e vërtetë të vendit,sot është rruga e çdo njeriu të lirë që lirisë i thotë liri, dhe demokracisë i thotë demokraci!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco