Melodrama në SPAK: Ç’po servir regjisori?

Melodrama në SPAK: Ç’po servir regjisori?

Nga Pranvera Shehaj - 02/05/2024

Nëse ka një mekanizëm që dirigjon dhe kanalizon psikologjinë, mendimin, emocionin, përqendrimin dhe reagimin e turmës, ajo është politika. Politika në tërësinë e vullnetit të pushtuar nga ambicia për ta marrë, mbajtur dhe zgjeruar pushtetin, e drejton turmën, i jep formë asaj si të ishte plastel i qindra-herë përpunuar, e formon, shformon, e shtyp, i jep kuptim, dhe në fund e shformon sërish. Ka një tipar të turmave, pa të cilin mjeshtëria politike, makiaveliane ose jo qoftë ajo, nuk ia del ta shohë dritën e suksesit. Ky tipar është Vulnerabiliteti i turmave. Vulnerabiliteti, si debulesë emocionale e psikologjike e qenies njerëzore, amplifikohet kur vjen fjala për turmat, të cilat janë vulnerabël në aftësinë e tyre në tre drejtime: i.) Përqendrimi; ii.) Kujtesa; iii.) Përdorimi. i.) Përqendrimi. Kushdo që e do, e sheh dhe e projekton pushtetin e di (duhet ta dijë) se kolektiviteti nuk ia mundëson turmave përqendrimin në një objektiv final. Ato janë katërcipërisht të prirura të shpërqendrohen, të ndryshojnë çfarë i tërheq e çfarë duan realisht sipas psikologjisë së turmës. Përsa kohë psikologjia e turmës është në vetvete subjekt i manipulimit dhe drejtimit nga lart-poshtë, turmat e kanë të pamundur kthjelltësinë në objektivin final. Mjeshtëria politike e zotëron orientimin e përqendrimit të turmës dhe ky s‘është mëkat. ii.) Kujtesa. Turmat kanë qark të shkurtër të kujtesës. Më shumë se me naivitetin e një fëmije, ato harrojnë emocionet si pozitive ashtu edhe negative. Turmat e harrojnë dhimbjen po aq shpejt sa degdisin në akullsinë e kujtimeve të humbura gëzimin. Ky dimension i vulnerabilitetit të turmave  bën që të jetë e rrallë dhe thuajse e pamundur hakmarrja e turmave, aq më tepër hakmarrja e ftohtë. Nëse një dhimbje nuk provokon revoltë të menjëhershme dhe shpërthyese të turmës në çastin kur ndodh, kurrë më pas nuk do të provokojë revoltë ajo. Harresa ose kujtesa me qark të shkurtër i kthen turmat në negociuese kur përmes aprovimit të heshtur, ato kënaqen shpesh me shpërblime shproporcionale të dhimbjes së tyre, që e shqipëruar do të ishte: turmat përmbushen me pak. iii.) Përdorimi. Në mënyrë të pavetëdijshme dhe të marra peng nga nevoja për t‘u përfillur, turmat vetëofrohen për t‘u përdorur. Nëse i referohem atyre rasteve 1 në 100 vite kur turma ndodh të jetë zgjuar, ajo ofrohet të përdoret me qartësinë e realizimit të objektivit të saj. Nëse i referohemi çdo kohe tjetër, turma përdoret si e mpirë kur konsumon pa filtruar çdo kockë të hedhur nga regjia.

Shqipëria e aktualitetit është pasqyrë e kristaltë që reflekton ngjyrimet e mësipërme dhe vulnerabiliteti ynë është frikshmërisht i ekspozuar ndaj lojës së pushtetit. SPAK, me gjithë përgjegjësinë e shpagimit të mëkateve të mjeshtërve politikë në të shkuarën, po i jep formë të tashmes, dhe është frikshmërisht i guximshëm për të përcaktuar të ardhmen e vendit tonë. Tymnajat e fletëthirrjeve, të shtrëngimit të dhëmbëve dhe shashkave për arrestime kinse në nivele të larta, kanë një koordinim intrigues që dalldis deri në dehje turmën, duke nxitur kuriozitetin për serinë e ardhshme. Prokurorët e Republikës de jure, në nivel të barabartë të vigjilencës politike me drejtuesit e saj, e dinë se për turmën e konsumit, aksioni që po zhvillohet nuk është veçse serial. Trinomi Rama - Veliaj - SPAK, është kronikë e një ngjarjeje të paralajmëruar me vite ku delegimi i pushtetit brenda të majtës ishte fund i projektuar sa në thashetheme aq edhe në dritëhijet e veprimtarisë së dyshes dashuri-urrejtje. Pas më shumë se 5 viteve demaskim i skandaleve korruptive, SPAK thërret kryebashkiakun, i cili paskësh vetëvendosir të ofrohej për marrje në pyetje. Pas 5 muajsh arrest politik të liderit të Partisë Demokratike, të vetmes rivale reale të ngjyrës mavi, SPAK vendos të dalldisë sërish turmën. Ka disa skenarë që përhumbin vërtetësinë dhe sinqeritetin në qëllimet e prokurorëve të drejtësisë së re, aq sa nëpërkëmbin shpresën dhe urinë e një pjese masive të turmës për të parë pas hekurave klasën udhëheqëse, sepse të disajtë, çojnë ujë tek i njëjti burim.

Së pari, nëse pranojmë se zhurma për një arrestim të mundshëm të kryebashkiakut është faktike dhe i paraprin një arrestimi të ardhshëm, ajo do të shpjegohej me leximin e saj si pasojë e luftës së brendshme brenda Rilindjes. Në këtë skenar fare të tejdukshëm dhe tepër të thjeshtëzuar për t‘u servirur nga mjeshtrit e manipulimit të turmës, kryebashkiaku del nga skena politike dhe braktis premtimin e mirëqenë se do të trashëgonte kampin rozë. Kryeministri zbon nga skena pretendentin për fron, ndërsa vetë pretendenti, peshën më të madhe do të ketë atë të njollosjes nga drejtësia e re, njollosje, e cila referuar precedentëve të ish-ministrave të tjerë të autokratit, do të jetë patjetër shproporcionale krahasuar me mëkatet e pretenduara. Shpesh pretendentët zhduken nga skena politike me 6 muaj deri 1 vit burgosje, ndërsa autokratin e gjejnë pas burgut aty ku e lanë para tij. Një detaj nuk e lejon krahasimin e kryebashkiakut me ish-ministra. Ai është i një prejardhje të veçantë politike, i së njëjtës me autokratin. Shpatuallat ua rreh e njëjta dorë. 

Së dyti, kur marrëdhëniet janë dashuri-urrejtje, vazhdimësinë e garanton interesi i përbashkët, bashkëfajësia ose bashkëqëllimi edhe pse është pashmangshmërisht e pritshme që rrugët diku do të ndahen. Nuk është e thënë që ato të ndahen kaq dhunshëm. Në interesin tim si pjesë e turmës, por imune nga kllapia e dalldisjes së konsumit pa teklif, nuk e përjashtoj vetëofrimin e kryebashkiakut për t‘u përdorur me qëllim krijimin e një tymnaje barazpeshe një muaj e pak përpara përmbushjes së gjashtë muajve prej kur lideri historik i së djathtës Berisha mbahet nën arrest politik e për rrjedhojë nuk ka shkelur në parlament, ç‘ka do të implikojë pasoja lidhur me mandatin e tij si deputet e për rrjedhojë fatin e opozitës në zgjedhjet në prag. SPAK dirigjon tymnajën, duke patur pritshmërinë që e tillë flluskë politike do të amortizojë efektin e përshkallëzimit të persekutimit politik të liderit historik të së djathtës. Si çdo tymnajë, edhe kjo ia del t’ua veshi shikimin turmave, duke shfrytëzuar vulnerabilitetin e tyre, shpërqendrimin. Edhe nën këtë skenar, paprekshmëria i mbetet autokratit, përdorimi provizor me qëllim vetëpastrim për rrugën e mëtejshme i mbetet kryebashkiakut .

Së treti, edhe në rast të zhvillimit të skenarit të parë, i cili përmbyllet me arrestimin e kryebashkiakut, uji shkon tek i njëjti burim. SPAK, i vetëofruar për t’u përçkënditur në detyrën dhe profesionalizmin e tij si pasojë e vetëpërdorimit përmes shkeljes së Kushtetutës së Shqipërisë, duke arrestuar kryebashkiakun, legjitimon veten. Referuar djallëzisë ekstreme të Rilindjes për ta shformuar psikologjinë e turmës me mjeshtëri, socialistët do t’ia dilnin ta ngrinin në lartësinë e dëlirësisë SPAK-un duke e proklamuar arrestin e kryebashkiakut si dëshmi të drejtësisë së re. Për të tretën herë, edhe në të tretin skenar, paprekshmëria i përket autokratit, i cili forcohet deri në pathyeshmëri, SPAK legjitimon veten dhe çdo akt politik të prerjes së krahëve të opozitës, lideri historik i opozitës mbetet nën arrest.

Së katërti, në një rast hipotetik, arrestimi i kryebashkiakut, nën perceptimin e braktisjes nga autokrati, është kockë me të cilën do të merret dhe duhet të merret turma. Edhe pse në një turmë vulnerabël për shkak të një kujtese afatshkurtër, dirigjentët e drejtësisë së re e dinë mirë se arrestimi i mundshëm është thikë me dy tehe: ose nxit revolta masive për të kërkuar më shumë duke cenuar paprekshmërinë e autokratit; ose përmbush, kanalizon dhe kënaq mllefin opozitar duke i zbehur nevojën, sado qoftë ajo për të marrë hakun që u takon për arrestimin e padrejtë të liderit të tyre. Rasti i parë është teorikisht i mundur por në real-politikën shqiptare mbetet fare pesimist. Aktualisht, në më pak se një vit para zgjedhjeve, një vend i braktisur deri në skajet e tij, e ka të fortë narkozën që i pengon reagimin, e vështirë se i stimulohet oreksi për të kërkuar më shumë prej SPAK. Në rastin e dytë, kanalizimi i mllefit opozitar në arrestimin e kryebashkiakut e largon të djathtën nga dhimbja e padrejtësisë me arrestimin e liderit të saj, duke mos i dhënë asnjë favor faktik për zgjedhjet e ardhshme. Déjà vu! Sërish, asnjë thikë nuk i afrohet sado pak autokratit.

Së pesti, edhe nëse për SPAK çështja Berisha dhe revolta që do të duhej të provokonte ajo është vështirësi e kaluar tashmë, e radha i ka ardhur tjetër pretendenti socialist të një partie dikur king maker për të marrë drejtimin e vendit, tymnaja për një arrestim të mundshëm të kryebashkiakut, sërish shërben si amortizator i impaktit në masë që mund të ketë ky tjetër arrestim i përfolur. Ndërkohë që është groteske se si shtrirja në kohë e zhurmës së arrestimeve është herë akute, herë merr shekuj, në varësi të asgjësimit të rivalëve realë dhe të vetëm të autokratit apo dalldisjes së turmës, për të pestën herë, kryebashkiaku thjesht përdoret pa dëme kolaterale me peshë, një tjetër gur nëpër këmbë të autokratit zbohet, lideri i opozitës vazhdon nën arrest, autokrati sërish syrgjynoset në paprekshmërinë dhe rehatinë që buron kur koha dhe miqtë punojnë për ty.

Për ata që shpresojnë në skenarin e një të penduari të drejtësisë, ndjesë u kërkoj t‘ua pres shpresat duke i kujtuar se s’ka pak muaj kur një ish-ministër nuk kurseu asgjë në pendimin e tij publik, edhe pse ai, ne dhe autokrati, e dinim se përballë nuk kishte një Falcone, por drejtësinë e re të babait të trinomit, si dhe një turmë që konsumon në pritje. Mjeshtëria e manipulimit të turmës nga ana e kryebashkiakut u certifikua me sukses edhe këtë herë. Ndërkohë që turmës mediatike ose jo, i vrau dëgjimin termi “kolegë”, për mua më domethënës mbetet termi “bashkëpunëtor”. Por prapë, nisur nga fakti që rilindasit i kanë të paskrupullta format e komunikimit mes vetes, vështirë e kam ta besoj se druhen të kërcënohen ballazi e u duhen gazetarët për t‘i përçuar kodet njëri-tjetrit, ç‘ka bën që përdorimi i të dy termave, të jetë vetëm pjesë e kockës për t‘u marrë.

Tymnaja e dirigjimit të turmës, kjo mjeshtëri e pamohueshme e Rilindjes, një, por jo e vetmja shtyllë e komprometimit të rrugës drejt pushtetit, një nga të pistat fytyra të historisë së tyre qeverisëse druaj se ia del të shfrytëzojë maksimalisht vulnerabilitetin e turmës në të tre dimensionet e saj: i.) ajo shpërqendron qëllimin final të rrëzimit të qeverisë së autokratit dhe kanalizon energjinë në kockat e hedhura rrugës; ii.) ajo amortizon deri edhe fshin nga kujtesa qëndrime, bindje dhe fakte përkundrejt SPAK dhe delegjitimitetit të tij në arrestimin e liderit historik Berisha; iii.) ajo përdor turmën e përgjumur dhe jo-koshiente duke e detyruar të përqendrohet vetëm në konsum. Tymnajë që të pështjellon ndjesitë e të bën të kujtosh sa fuqi ka në vetvete aftësia e dirigjimit të turmës në kllapi.

Pranvera Shehaj, Politologe, Ekonomiste

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco