Edhe presidentët e mëdhenj mund të gabojnë

Edhe presidentët e mëdhenj mund të gabojnë

Nga Agim Nesho - 17/10/2023

Vizita e Presidentit Makron në Shqipëri është një vizitë historike. Historike për lëvizjen e tij brilante për të rritur influencat e Francës në një vend ballkanik, ku Franca gjithmonë ka menduar se ka investuar në mënyrë të konsiderueshme në arsimimin e elitave, shëndetësi dhe kulturë.

Si gjithmonë karizmatik, me ide të qarta për autonominë Europiane dhe fuqizimin e BE-së, Presidenti Makron pranoi sfidën të ulet dhe të bisedojë me një nga autokratët e Ballkanit, Edi Ramën, i cili fatkeqësisht ka mësuar nga historia e madhe e Francës intrigat politike dhe si mund të sundosh politikisht duke ruajtur fasadën dhe si mund tu shërbesh padronëve.

Ai erdhi në Shqipëri kur shtypi francez ka folur hapur për autokratët e Ballkanit, që janë të lidhur me krimin e organizuar dhe janë vende ku nuk kuptohet qartë se kush drejton shtetet: mafia apo politika. Ai erdhi në Shqipëri për të   promovuar simbolet e shtetit të fuqishëm, si Aleanca Franceze, të zhvillimit të turizmit dhe të artit, por harroi që këto ‘dhurata’ i bëri në bashkëpunim me një personazh që ka mbytur demokracinë, që i vjedh votat popullit, që e mban të burgosur opozitën, që pronat publike dhe interesat ekonomike të Shqipërisë i ka shitur në Arabinë e largët dhe në shtetet gjysmë-diktatoriale të Europës, si Turqia.

Franca nuk mund të jetë një varkë shpëtimi, pavarësisht interesave të saj, për të përkrahur autokratët e një populli që nuk ka bukë të hajë, ku 1 milion qytetarë të saj janë larguar dhe kërkojnë azil politik kryesisht në Francë; kur populli kërkon mbrojtjen e demokracisë dhe Republikën e tij, e cila nuk ju mundësohet edhe nga indiferenca europiane.

Presidenti Makron është një lider i madh dhe me vizion, por në Tiranë bëri lëvizjen e gabuar duke ju besuar klientelistëve ballkanikë që duan të të përdorin për të mbajtur pushtetin e tyre autokratik. Ai gaboi duke minimizuar impaktin e Samitit të Berlinit në Tiranë dhe nevojën e integrimit të shpejtë të këtyre vendeve në BE, nëpërmjet reformave të qenësishme.

Ai hodhi idenë e përsëritur tashmë të rëndësisë që ka Komuniteti Politik Europian dhe rëndësisë që ka respektimi i sovranitetit të brendshëm të vendeve për t’ju bashkuar BE-së kur të vijë momenti. Kjo është një politikë që ju shkon për shtat autokratëve, të cilët vazhdojnë të përsëritin ‘që nuk ka nevojë të anëtarësohemi në BE, por ne do sjellim Europën në Ballkan’.

Me një fjalë, na lini kështu sic jemi, të korruptuar, të majmemi me pasurinë e popullit, por ne nuk mund të pranojmë vlerat dhe parimet europiane dhe të bëjmë transparencë dhe llogaridhënie para popullit. Në këto kushte ne jemi me Europën.

Së dyti, Presidenti Makron ishte i paqartë për situatën e re të krijuar me Kosovën, pas sulmit të sponsorizuar nga regjimi i Beogradit kundër një vendi sovran si Kosova. Vlerësimi i situatës dhe presioni ndaj Kosovës u duk më tepër si një ‘qokë’ për të shpëtuar vasalin e radhës, që e ka mbytur veten me politika anti-shqiptare dhe anti-europiane, siç është ndryshimi i kufijve dhe Ballkani i Hapur. Presidenti Makron në mënyrë të disbalancuar i bëri presion Kosovës me çështjen e pezullimit të vizave, në një kohë kur opinioni publik në gjithë Ballkanin dënon ashpër sponsorizimin e aktit terrorist të Serbisë në veriun e Kosovës.

Ne e kemi dëgjuar me vëmendje Presidentin Makron si njeri të mençur edhe kur ai ka propozuar një qasje të re me Moskën, ide që është kryqëzuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe gjithë Europa. Por ne nuk mund ta kuptojmë pragmatizmin e tij në mosqëndrimin ndaj nacionalistit Vucic që kërkon ti vërë zjarr Ballkanit Perëndimor dhe Europës. Apo mendon që kur nuk e dënon Rama si kryeministër i Shqipërisë dhe ‘babai i kombit’ Shqiptar, pse duhet të prishë linjat e politikës tradicionale franceze? Se kjo politikë është në dëm të interesave kombëtare dhe ju shërben vetëm Pashiçëve të rinj.

Ne e vlerësojmë shumë vizitën e Presidentit Makron dhe vizionin e tij për një Europë të re dhe të fuqishme, por mendojmë se Europa e re do të ngrihet vetëm kur të rivendoset demokracia dhe kur nacionalizmat primitive si të Vucic të marrin fund.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco