Drithërohem nga fjalët e Niçes -Të vërtetat që fshihen transformohen në katastrofa

Drithërohem nga fjalët e Niçes -Të vërtetat që fshihen transformohen në katastrofa

Nga Ndriçim Kulla - 13/10/2023

Korrupsioni, mitmarrja, shpërdorimi dhe keq shpërndarja e pasurisë shtetërore, (nga të cilat vuan aq shumë sot shoqëria shqiptare) janë vetëm disa nga format që merr pushteti kur bëhet i padukshëm.

Janë aktivitete të paligjshme që detyrimisht duhen mbajtur të fshehura qoftë si aktivitet qoftë si përmbajtje, por që shkojnë të cenojnë e të gërryejnë të gjitha nga pak atë parim të madh e themelor të demokracisë, transparencën, që siç e përcakton Bobbio, përcakton dukshmërinë, njohjen dhe qasshmërinë ndaj një akti publik.

Janë të gjitha këto “përbërësit lëndorë” të atij shkëmbi të lartë që  duhet shembur dhe  holluar për të ndaluar erozionin e tyre dhe  për të shpëtuar degjenerimin dhe degradimin e shpejtë të këtij vendi, sepse pa shfaqjen dhe qasjen e hapur ndaj informacioneve të funksionimit real të një qeverie, opinioni publik bëhet i pambrojtur, i paarmatosur në fakte e argumente alternative, e kësisoj kthehet në vasal të qeverisë.

Mund të flitet shpesh për kostot ekonomike që ka kjo mungesë e transparencës, se sa rëndon në xhepat e qytetarëve mos-njohja e këtij apo atij ligji abuzues. Por harrohet se mungesa e transparencës ka tipe të tjera kostosh, të pamundura për t’u llogaritur dhe matur në terma ekonomikë, që aq shumë do t’u pëlqenin shumicës së njerëzve pragmatiste; bëhet fjalë për koston politike dhe sociale që sjell drejtëpërdrejt mungesa e transparencës.

Një sistem politik, me densitet të lartë opakësie dhe fshehtësie, dëmton pikërisht rrënjën e besimit që lidh qytetarët me institucionet. Mos-transparenca, me fjalë të tjera, nuk hap vetëm hone e humnera në bilancet publike të qeverisë, por prodhon edhe një defiçit të rëndë demokracie.

Në terma praktikë, kjo shfaqet në falsifikimin e konkurueshmërisë elektorale, që për demokracinë përbën një mekanizëm procedurial par exellence, nisur nga fakti se u siguron risurse shtesë, të përkthyera në një avantazh konkurues, pikërisht më pak të ndershmëve, më të paskrupujve dhe më të papërgjegjshmëve, që investojnë paratë e korruptimit në ndërtimin e rrjeteve të shtrira të klieelizmit. Arrihet në këtë mënyrë ruajtja dhe riciklimi i pushtetit të padukshëm, i cili  qëndron gjithmonë në lojë, i mbrojtur nga opakësia e njohjes nga ana e publikut, për të konfuzuar dhe mjegulluar kështu  vazhdimisht gjithë sistemin shoqëror. Vetëm nëse shihet nga ky këndvështrim, do të kuptohet se bëhet fjalë për më shumë se sa një defiçit demokratik.

Gjendja në të cilën ndodhet sot shkalla e transparencës së veprimit politik në Shqipëri është alarmuese në të gjitha fushat e shtrirjes së tij. Nga mosrealizimi i planeve të parashikuara për doganat dhe tatimet, në intervale të gjatë kohore deri në zhvillimin e herë pas hershëm të abuzimeve ekonomike, por edhe politike për mbrojtjen e segmenteve të caktuara klienteliste, dëshmohet se fenomeni i pushtetit të padukshëm e ka mbërthyer sot Shqipërinë me fizionomi nga më të ndryshmet, në çdo pjesë e sektor të jetës së vendit.

Kjo shkallë e ndërhyrjes kapilare të këtij pushteti ndikon edhe në shkallën e demokracisë sonë. Pavarësisht se mund të mos duket në pamjen e jashtme si e tillë, ajo po shfaq një regres të frikshëm.

“Jeta e një shteti demokratik”, shkruan Tilly në veprën e vet “Demokracia” (2007), “mund të njohë faza të shpejta të demokratizimit ose çdemokratizimit, d.m.th. të rritjes apo të zvogëlimit të shkallës të transparencës së veprimit në publik të politikës”.

Sipas analizës së bërë më sipër, mund të pohojmë se shoqëria jonë gjendet në fazën e çdemokratizimit të saj, ose duke perifrazuar shprehjen në të cilën mbyllet libri i fundit që në 2011 shkroi njëri nga filozofët më të mëdhenj të politikës, irlandezi Peter Mair, pak përpara vdekjes, “shoqëria jonë nuk është demokratike, por pa qenë as antidemokratike”.

“Nëse është e vërtetë që pushteti priret gjithmonë kah fshehjes” shkruan Elias Canetti te kryevepra e tij “Turmat dhe fuqia”, “atëherë transparenca është një parim transformues (revolucionar do ta përcaktonte Bobbio), që mund të gjejë zbatim, qoftë edhe të pjesshëm, vetëm nëpërmjet një lufte politike dhe kulurore që nuk ka kurrë pushim”.

Këtij pohimi duhet t’i përbri vihet edhe fakti se shkalla e lartë e transparencës politike, e arritur nëpër demokracitë më të konsoliduara të Perëndimit, ka qenë fryt i një debati dhe ligjërimi të gjatë teorik dhe i betejave të mëdha politike, që kanë arritur të vendosin më në fund parime e praktika qeverisjeje të atilla që të shënojnë një inovacion të thellë të kulturës politike dhe sistemeve institucionale të këtyre vendeve.

“Jemi bij të një race e cila mbetet apatike, e painteresuar dhe e painfluencuar brenda në një botë të tërë luftërash ideale, brenda në një pellg të tërë korentesh (rrymash) mendore”, shkruante Merxhani që në artikullin e tij  të pare ne prag te viteve 30-të. “Izolimi shoqëror - mendor! Ja titulli, ja njohja që shpreh në një mënyrë të përmbledhur dhe epigramatike realitetin më të dukshëm të historisë shqiptare”, do të përsëriste ai edhe një dekadë më pas.

 A thua vallë ka ndryshuar gjë edhe pas kaq shumë dekadash historie? Realiteti ynë a ka arritur tashmë ta ketë të tijën atë “lëmin” e lëruar shoqëroro-social që kërkonin filozofët e neo-shqiptarizmës? Apo vallë vazhdon të lërë të derdhen mbi të gjithë ato rrebeshe të paralajmërimeve dhe përvojave të perëndimit dhe filozofisë politike botërore, pa i mbirë asnjë farë betejë e lufte idealesh për  të cilat sot kemi aq shumë nevojë?

Në çdo shoqëri, në çdo fazë të saj, duhet të ketë një “çfarë” (qoftë ky parim, lëvizje apo kornizë qëllimesh) për të cilën një shoqëri lufton e ekziston, e një tjetër “çfarë” për të cilën ajo shoqëri zhvillohet e përmbushet.

Sot, kur vetvetja shqiptare ndjen t’i rrezikohen rrënjët e demokracisë së saj të brishtë nga morali i molepsjes që i jep pesha e rëndë e oligarkisë dhe e pushtetit të padukshëm me gjithë rrjedhojat e saj, ajo “çfarë” nuk ka se si të mos jetë një betejë e tërësishme morale.

“Drita e diellit është dezinfektuesi më i mirë” pat shkruar Lous Brandeis, në një shprehje të shndërruar më pas në emblematike. Ja, kjo duhet të jetë beteja apo lufta jonë më urgjente morale, kulturore, etike dhe politike, për të nxjerrë në dritë të diellit çdo ngjarje, apo veprim, çdo sjellje apo qëndrim, që nuk i shkon për ndesh forcimit dhe lartësimit të shkallës së transparencës së veprimtarisë së çdo institucioni të përveçëm në tërësinë e shtetit dhe shoqërisë shqiptare.

Vetëm kështu do të krijohet baza nga ku mund të nisemi për të ndërtuar gjithçka të mirë e të qëndrueshme për të cilën ëndërrojmë.

Pa betejën ideale të fitimit të transparencës që duhet të shqyejë qiellin e mbuluar me errësirën e apatisë sonë proverbiale, nuk mund të shpresohet për asnjë lloj ndryshimi ekonomik apo social, gjëra këto konkrete e të prekshme, të vetmet që mund të na zgjojnë  sadopak nga gjumi ku na është fashitur ndërgjegjja, “Këto fjalë po i shkruaj me dhimbje e guxim. Zemra më drithërohet teksa më del para syve ajo fantazma e tmerrshme e Niçes dhe  ajo fjala e tij e njohur: “të vërtetat që fshihen transformohen në katastrofa”.

Të shqetësuar e gjithë hidhërim kuptojmë se Merxhani “profetik” këto fjalë duket sikur i ka shkruar posaçërisht për ne, në ditët e sotme shqiptare.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco