Një përgjigje e detyruar për personat që gëzohen nga situata e Opozitës

Një përgjigje e detyruar për personat që gëzohen nga situata e Opozitës

Nga Andi Mustafaj - 20/06/2023

Në pamje të parë, debati publik është i mbushur me propozime mbi atë çka duhet të bëjë opozita. Megjithatë, po ti shohim me vëmendje, gati të gjitha janë propozime të formës pa përmbajtje “duhet riorganizim”, “duhet të largohet X person”, “duhet t’i lihet vend të rinjve” të cilat keqkuptojnë kontekstin dhe realitetin e politikës shqiptare.
Pyetja më e rëndësishme që duhet ti bëjmë vetes sot është: “si mund të jetojë politikisht një grupim politik brenda një shteti autokratik modern?”

Nëse ne nuk kuptojmë funksionimin e Sistemit të Konfuzionit të Përhershëm (SKOP) që ka vendosur Edi Rama në Shqipëri atëherë jemi të dënuar të dështojmë në mënyrë të përsëritur dhe të pandalshme.

Përkundër çfarë mund të mendohet në pamje të parë, një emër, sado i mirë të jetë nuk është në gjendje të fitojë i vetëm zgjedhjet. CV-t e individëve që përfaqësojnë një parti politike luajnë vetëm një rol të parë në ngjalljen e kuriozitetit tek qytetarët. Që ky kuriozitet të shndërrohet në interes, në shpresë, në besueshmëri dhe më pas të përkthehet masivisht në votë duhen elemente të tjera.

Në kohët e qeta politike, pra jashtë periudhave të zgjedhjeve apo krizave të ndryshme, sistemet demokratike krijojnë hapësira për opozitat që të ndërtojnë profil politik dhe të jenë të dobishëm për qytetarët. Pra mundësojnë që përfaqësuesit politikë të tregojnë vlerat e tyre përtej emrit apo CV-s, në mënyrë që qytetarët të krijojnë bindjen se janë të aftë për të drejtuar shtetin dhe të sjellin ndryshimet e pritura prej tyre.

Në mënyrë të përmbledhur dhe të thjeshtëzuar mund të themi që opozita ka tre mundësi kryesore për të vepruar në kohë të qeta.

E para është veprimtaria brenda institucioneve të Shtetit si Parlamenti nëpërmjet hartimit të projektligjeve, amendamenteve etj.

E dyta është roli denoncues mbi tejkalimin apo abuzimin e pushtetit nga qeveria nëpërmjet informacioneve të privilegjuara dhe peshës publike të përfaqësuesve politikë.

E treta është mbrojtja e kauzave të mëdha qytetare duke marrë pjesë apo duke zmadhuar rezistencën qytetare në formën e protestave, grevave etj.

Në autokracinë moderne në të cilën jetojmë, formalisht opozita i ka këto mundësi, pra mund të hartojë projektligje, të bëjë denoncime, të mbrojë kauza. Në të vërtetë këto janë kurthe të ngritura nga Rilindja sepse iluzioni i lirisë është karremi më i madh që Edi Rama ka lëshuar.

Brenda këtij iluzioni ne i shterojmë energjitë tona pa ditur se jemi brenda kurthit. Sistemi është i ndërtuar në mënyrë të tillë që të dështojmë në çdo rast dhe në këtë mënyrë të ushqehet perceptimi i popullsisë se opozita është e dobët, e paaftë për të mundur regjimin. Ndërkohë besimi se regjimi rrëzohet është hapi i parë dhe i pazëvendësueshëm për ta rrëzuar në përfundim dhe në të vërtetë. Është thjesht një rezultat logjik.

Opozita nuk ka asnjë hapësirë të vërtet në Parlament që të miratohen propozimet e saj, bashkitë nuk marrin më fonde duke i shtyrë drejt dështimit dhe shantazhimit.

Denoncimet nuk prodhojmë më asnjë pasojë përveç se sa burgosjen e personazheve dytësore. Kauzat humben njëra pas tjetrës, herë duke blerë protagonistët, herë duke marrë me forcë. Kontrolli i qeverisë mbi mediat, rrjetet sociale, drejtësinë, shoqërinë civile është i gjithanshëm.

Si mund të ekzistojë në këto kushte një parti politike, veçan të tjerave Partia Demokratike? Si mund të çohet përmbi mjegullën që ka ngritur qeveria për ta humbur atë në sytë e qytetarëve? Sigurisht nuk i kam të gjitha përgjigjet, por besoj se mund të mendohen disa veprime për të përçuar disa rreze drite tek qytetarët.

Duke parë kontekstin e vështirë ku qeveria dhe një grusht demokratësh bëjnë çdo gjë për të mbajtur peng Partinë Demokratike, kemi përgjegjësinë madhore që të mendojmë mënyra të reja për të bërë politikë.

Nuk duhet për shembull të mendojmë angazhimin vetëm në kuadrin e partisë politike. Demokratët duhet të vërshojnë drejtë fushës së veprimtarisë së shoqërisë civile dhe temave të shtrenjta të së djathtës. Organizatat jo-qeveritare në Shqipëri kanë vetëm emrin e tillë. Të lidhura ngushtë me qeverinë dhe fondet e dala prej saj, një numër i madh nuk e luajnë më rolin e tyre në dobi të qytetarëve. Më keq akoma, ato shtrembërojnë raportet ndërkombëtare nëpërmjet informacioneve të pasakta që japin apo duke marrë pozicion në favor të qeverisë dhe mbi shpinë të qytetarëve shqiptarë. Të rinjtë opozitarë duhet të krijojnë shoqata dhe organizata të tjera që të kundërpeshojnë këtë fenomen dhe të ndikojnë në mënyrën e tyre në luftën ndaj regjimit.

Demokratët duhet gjithashtu ti japin rendësin e duhur artit dhe peshës të tij në ndërtimin e një narrative të përbashkët në vend. Arti, në forcën simbolike që ka, luan një rol të fortë për të luftuar regjime. I ndërgjegjshëm për këtë fakt, Edi Rama ka shkatërruar në mënyrë metodike vlerat kulturore në vend duke e çuar atë në nivelet më të ulëta nëpërmjet promovimit dhe përdorimit të rëndomtë të personaliteteve të dala nga emisione tele-realiteti. Në vend që të gjykojmë qytetarët shqiptarë për pëlqimet e tyre, duhet ti ndihmojmë në rindërtimin e vlerave kulturore ku muzika, letërsia, piktura të denoncojë çfarë bëhet në vend. Forca e tyre prodhuese është kyçe. Çka shkatërrohet nga injoranca mund të rindërtohet nga shpirti i imagjinatës së artistëve.

Për sa i përket Partisë Demokratike per se, është thelbësore që kundërsulmi dixhital të ngrihet në prioritetin madhor për muajt e ardhshëm. Duhet të ftohen specialistët më të mirë dhe të bëhet një konferencë e madhe ku të mendohet dhe të ndërtohen bazat e një kundërsulmi jetik jo vetëm për Partinë Demokratike por edhe për demokracinë në vendin tonë. Nëpërmjet patronazhistëve, aktivistëve dhe mbledhjen e të dhënave dixhitale, Rilindja po perfeksionon gjithmonë e më shumë mjetet që ka për të manipuluar në masë qytetarët shqiptarë. Ndoshta PD duhet të shkojë edhe më larg dhe të mendojë jo vetëm kundërsulmin dixhital në rrjete sociale, një strategji gjithëpërfshirëse por edhe si të përdorë inteligjencën artificiale.

Duhet që brenda strukturës qendrore të PD të krijohet Departamenti i Botimeve në gjuhë të huaja i cili të jetë i ngarkuar me detyrën e përçimit të mesazheve, njoftimeve, pozicioneve të Partisë Demokratike në gjuhë të huaja që edhe këtu të ndreqet pasqyra e thyer me të cilën Shqipëria dhe opozita shihen jashtë shtetit. Kjo do e bëjë edhe më të lehtë shpërndarjen e materialeve nga shqiptarët e Diasporës, me të cilët Demokratët duhet të ndërtojnë një pakt të ri, një strategji të re ku të mbështeten për të krijuar një rrjet të gjerë ambasadorësh.

Strukturat lokale në të kundërt duhet të përqendrohen tek ajo që mund të quhet “politika e vogël”, të merren me problemet e qytetarëve të zonave të tyre dhe jo me çështjet kombëtare. Ato duhet të trajnohen që të jenë në gjendje të veprojnë në mënyrë të efektshme dhe të plotësojnë veprimtarinë e strukturës qendrore në vend që ta përsërisin atë. Ato duhet të ndërtojnë në çdo zonë harta lokale të problematikave të qytetarëve të cilat mund të shërbejnë njëkohësisht si plan pune por edhe si brumi për të ndërtuar programin politik të zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2025. Krijimi i një lidhje të re me njerëzit, përmbi kauzave dhe teorisë është pa asnjë dyshim një nga çelësat që na mungon./Pjesa 3/

*Nga Andi Mustafaj, Drejtues i Departamentit BrainGain dhe Anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco