60-vjeçari Izet Ymeri u arrestua nga Policia e Fierit pasi plagosi me thikë kushëririn e tij pas një konflikti në Lushnjë.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e djeshme në lagjen ‘Loni Dhamo’, ku, sipas policisë, pas një sherri për motive të dobëta, Izet Ymeri goditi me thikë kushëririn e tij, 70-vjeçarin Faslli Ymeri.
I plagosuri u transportua fillimisht në spitalin e Lushnjës dhe më pas në Spitalin e Traumës në Tiranë për trajtim më të specializuar. Fatmirësisht, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Menjëherë pas ngjarjes, shërbimet e Policisë arrestuan 60-vjeçarin, i cili pritet të përballet me akuzën për veprën penale ‘Plagosje e rëndë me dashje’, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të konfliktit.
Izet Ymeri është një emër i njohur në TikTok, ku njihet me nofkën ‘Izet Pantera’.
Ai është bërë i njohur për videot dhe transmetimet ‘live’ që realizonte së bashku me reperin Kleviol Ahmeti, i njohur si Clevio, me të cilin shfaqej shpesh duke realizuar sfida dhe biseda që tërhiqnin vëmendjen e ndjekësve.
© SYRI.net