Ndonëse prej më shumë se një viti është në kërkim ndërkombëtar nga SPAK, si pjesë e grupit të Elvis Doçit, Denis Tafili është shfaqur të premten në Durrës, duke u përfshirë në një konflikt ku ka pasur edhe të shtëna me armë zjarri, si dhe një efektiv policie të përfshirë. Ngjarja ka ndodhur në Shkallnur, ku shtetasi Edison Gjuzi dyshohet se u konfliktua me policin jashtë shërbimit dhe më pas u shfaq Denis Tafili, bashkë me një person tjetër. Gjuzi u godit me qytën e armës nga Tafili, teksa ky i fundit u largua nga vendi i ngjarjes. AMP ndaloi punonjësin e policisë për verifikimin e rrethanave të ngjarjes.
Denis Tafili, një nga personat më të kërkuar nga SPAK në kuadër të dosjes “Ura”, që lidhet me organizatën kriminale të drejtuar nga Elvis Doçi, është shfaqur të premten, më 24 korrik, në Shkallnur të Durrësit, ku u përfshi në një konflikt të armatosur.
Sipas Policisë, Tafili, i shpallur në kërkim prej më shumë se një viti për trafik ndërkombëtar kokaine, ka goditur me qytën e pistoletës shtetasin Edison Gjuzi. Më pas, ai është larguar nga vendi i ngjarjes me automjet, së bashku me një 27-vjeçar me inicialet G.M., i cili gjithashtu është shpallur në kërkim.
Në konflikt është përfshirë edhe një inspektor policie, me inicialet L.Xh., jashtë shërbimit. Sipas uniformave blu, përplasja ka nisur fillimisht mes efektivit dhe Edison Gjuzit, ndërsa më pas në vendngjarje janë shfaqur Tafili dhe 27-vjeçari.
Policia ka ndaluar efektivin, ndërsa Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur verifikimet. Në vendngjarje u gjet një gëzhojë arme, por ende nuk është përcaktuar se kush ka qëlluar. Pavarësisht postblloqeve të ngritura, Tafili dhe shoqëruesi i tij kanë mundur të largohen.
Denis Tafili vijon të jetë në kërkim nga SPAK në kuadër të operacionit “Ura”, i zhvilluar në maj 2025, pas informacioneve të autoriteteve italiane. Në këtë operacion u godit një grup i strukturuar kriminal me 24 anëtarë, të akuzuar për trafik ndërkombëtar kokaine, pjesëmarrje në grup kriminal dhe pastrim parash. Gjatë hetimeve u sekuestruan mbi 1.3 ton kokainë, 4 milionë euro cash dhe pasuri me vlerë 12 milionë euro. Sipas hetimeve, paratë e përfituara transportoheshin kryesisht me autobusët e linjës Itali–Shqipëri.
© SYRI.net