Kavajë/ Arrestohet 26-vjeçari i kërkuar nga Italia, akuzohet për organizatë kriminale të trafikut të drogës

13:33, 25/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një 26-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane është arrestuar në Kavajë me qëllim ekstradimin drejt Italisë.

Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, bëhet fjalë për shtetasin S. B., ndaj të cilit Gjykata e Breshias ka caktuar masën e sigurisë "Arrest në burg" për veprën penale "Pjesëmarrje në organizatë kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike".

 Në njoftim thuhet se ai dyshohet se ishte pjesë e një organizate kriminale që merrej me trafikimin e lëndëve narkotike për shpërndarje në disa zona të Italisë.

Njoftimi zyrtar i Policisë: 

Finalizohet nga Sektori për Kërkimin (FAST Albania), në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, një tjetër fazë e operacionit policor të koduar "Fast".

Lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga, me qëllim ekstradimi drejt Italisë, një 26-vjeçar i kërkuar ndërkombëtarisht për pjesëmarrje në organizatë kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike.

Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara nga shërbimet operacionale të Sektorit për Kërkimin (FAST Albania), në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, është finalizuar një tjetër fazë e operacionit policor të koduar "Fast".

Si rezultat i këtij operacioni, specialistët e Sektorit për Kërkimin (FAST Albania), në bashkëpunim me strukturat operacionale të DVP Durrës dhe të Komisariatit të Policisë Kavajë, lokalizuan në Kavajë dhe arrestuan provizorisht, me qëllim ekstradimi drejt Italisë, shtetasin:

S. B., 26 vjeç, banues në Kavajë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Breshias, Itali, i ka caktuar masën e sigurisë "Arrest në burg", për veprën penale "Pjesëmarrje në organizatë kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike", të parashikuar nga Kodi Penal i Italisë. Për këtë vepër penale parashikohet dënim maksimal deri në 24 vjet burgim.

Nga hetimet rezulton se 26-vjeçari, si pjesëtar i një organizate kriminale të përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë, por edhe nga disa shtetas italianë, në bashkëpunim me anëtarët e tjerë të kësaj organizate, ka trafikuar lëndë narkotike, me qëllim shpërndarjen e saj në disa zona të Italisë.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e 26-vjeçarit drejt Italisë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco