Autoritetet italiane kanë urdhëruar kryerjen e autopsisë për të zbardhur rrethanat e vdekjes së 42-vjeçarit shqiptar Xhevdet Bakushi dhe 69-vjeçarit Agostino Lagnese nga Francolise, të cilët humbën jetën në një aksident fatal më 19 korrik në rrugën shtetërore Appia, mes daljes së autostradës së Capuas dhe Pignataro Maggiore, në komunën e Pastoranos.
Zëvendësprokurorja Oriana Zona i ngarkoi ekspertizën mjekut ligjor Valerio Mastrioianni, i cili kreu ekzaminimin e trupave për të përcaktuar shkaqet dhe kohën e vdekjes, si dhe mjetet që e shkaktuan atë. Në procedurë morën pjesë edhe familjarët e viktimave.
Aksidenti ndodhi rreth orës 13:50 të datës 19 korrik, kur një mjet tip Piaggio Porter dhe një Fiat Stilo u përplasën me forcë, duke përfunduar në mes të karrexhatës. Si pasojë e goditjes, një prej personave që ndodhej në furgon, Xhevdet Bakushi, u hodh jashtë mjetit, ndërsa dy persona të tjerë mbetën të bllokuar mes llamarinave.
Në vendngjarje mbërritën dy ekipe zjarrfikësish dhe disa ambulanca të urgjencës. Zjarrfikësit punuan për nxjerrjen e të plagosurve nga automjetet, por për të dy drejtuesit e mjeteve nuk mund të bëhej më asgjë. Mjekët vetëm konstatuan vdekjen e tyre.
Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes po kryhen nga karabinierët e stacionit të Pignataro Maggiore, nën drejtimin e Prokurorisë së Santa Maria Capua Vetere, shkruan media italiane.
© SYRI.net