Durrës/ Qarkullonte i armatosur, arrestohet 28-vjeçari i dënuar më parë për vrasje

09:02, 30/03/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Policia e Durrësit ka finalizuar operacionin e koduar “Pasagjeri”, duke vënë në pranga një 28-vjeçar që lëvizte i armatosur me pistoletë, ndërsa drejtuesi i automjetit është proceduar penalisht.

Operacioni u zhvillua nga Forca e Posaçme “Shqiponja”, pas informacioneve operative për një person që qarkullonte me armë zjarri pa leje. Në lagjen nr. 13 u ndalua një automjet me drejtues shtetasin A. L., ku si pasagjer ndodhej shtetasi E. V.

Gjatë kontrollit fizik, 28-vjeçarit E. V., banues në Shijak, iu gjet një armë zjarri pistoletë me municion luftarak, të cilën e posedonte pa leje. Ai u arrestua në flagrancë për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Sipas policisë, i arrestuari rezulton i dënuar më parë për vrasje dhe armëmbajtje pa leje.

Ndërkohë, drejtuesi i automjetit, A. L., 25 vjeç, u procedua në gjendje të lirë për “Moskallëzim krimi”.

Arma e zjarrit u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco