Mbrojtja e Ilir Metës ka paraqitur këtë të enjte në GJKKO një dokument zyrtar tronditës, që sipas saj synonte në vitin 2015 destabilizimin e vendit dhe kaos, përmes një skenari të Edi Ramës dhe Lulzim Bashës. Sipas shkresës që mban emrin e ish-kryetarit të Komisionit të Sigurisë Kombëtare, që ia drejtonte ministrit të kohës Saimir Tahirit, skenari po realizohej nga Tom Doshi dhe Dritan Prifti, me porosi të Ramës e Bashës. Sipas shkresës, po kërkohej me çdo kusht që përmes presionit e shantazhit, të montoheshin deklarata e intervista për fajësimin e Ilir Metës për çështjen CEZ-DIA. Ky i fundit, mohoi në seancën paraprake çdo akuzë duke e konsideruar procesin si të montuar politikisht.
SYRI TV
Detaje të reja dalin në dritë për mënyrën se si u ngrit akuza ndaj Presidentit e Partisë së Lirisë Ilir Meta. Këtë të enjte (19 shkurt) në seancën paraprake ndaj tij, mbrojtja e ish-presidentit ka vënë në dispozicion të gjykatës një dokument zyrtar, që ish-kryestari i Sigurisë Kombëtare në Kuvendin e Shqipërisë, i dërgonte Ministrit të Brendshëm të Kohës Saimir Tahiri, se Edi Rama dhe Lulzim Basha po krijonin një plan përmes Tom Doshit dhe Dritan Priftit për destabilizimin e vendit, përmes një skenari që dëmtonte kryetarin e kohës së Kuvendit Ilir Metës.
“Këto burime më konfirmojnë se takimi me i fundit mes Tom Doshit, Dritan Priftit dhe Vojsava Ismailajt është zhvilluar në hotel Sheraton, ditën e Mërkurë, datë 23 Shtator 2015, duke filluar nga ora 14.31. Të njëjtat burime konfirmojnë se Tom Doshi dhe Dritan Prifti i kanë thënë Vojsava Ismailajt se bashkëshorti i saj mbahet i arrestuar me porosi të Kryetarit të Kuvendit. Sipas burimeve, Tom Doshi dhe Dritan Prifti i kanë dhënë garanci Vojdava Ismailajt në emër të Kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të opozites Lulzim Basha për lirimin e bashkëshortit në këmbim të deklaratave apo intervistave të saj apo të bashkëshortit të saj që do të implikonin Kryetarin e Kuvendit, madje duke përmendur edhe Ambasadën e Shteteve të Bashkuara si të interesuar në eliminimin politik të llir Metës. Pasi dështuan të ndikojnë përmes avokatit Vladimir Meçi, i cili mbron çështjet e Tom Doshit dhe Kastriot Ismailajt, këto ditë Tom Doshi i ka kërkuar Vojsava Ismailajt të takohen jashtë qytetit të Tiranës për të konkluduar marrëveshjen e tyre, duke i premtuar edhe largimin e saj dhe të familjes jashtë Shqipërisë.
E teksa Spartak Braho i shkruan Saimir Tahirit duke I kujtuar skenarin e dështuar që synonte përfshirjen e Metës si porositës të ekzekutimit të Tom Doshit dhe Mhill Fufit, shkresa vijon më tej me kërkesën për marrjen e masave që të mbrohej fizikisht Vojsava Ismailaj dhe familja e saj për të shmangur kërcënimet apo pengmarrjen e saj si dhe presionet kriminale që sipas Brahos rrezikojnë të çojnë vendin në destabilizim dhe kaos.
Ilir Meta mbajti një fjalë të gjatë këtë të enjte në Gjykatën e Posaçme, ku mbylli parashtrimet e tij para se gjykata të vendosë nëse e kalon për gjykim apo jo dosjen. Ish-presidenti mohoi çdo akuzë, duke denoncuar se ndodhej aty përmes ndikimit të fuqishëm të Edi Ramës tek akuza dhe gjyqësori.
© SYRI.net