Përmbytjet e ditëve të fundit kanë përfshirë sërish fushën e Spitënit në Lezhë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në tokat bujqësore. Dhjetëra hektarë tokë janë nën pushtetin e ujit prej 10 ditësh, duke i lënë fermerët në kushte të vështira. Kjo situatë ka shkaktuar një krizë të thellë në sektorin e bujqësisë dhe ka rënduar më tej pasojat ekonomike për shumë familje.
Përballë përmbytjeve të vazhdueshme, fermerët e Spitënit janë ngritur në protestë.
Ata thonë se kjo është hera e tretë që përballen me këtë situatë të ngjashme brenda një periudhe 40 ditore, ndërsa humbjet ekonomike për ta janë tepër të mëdha.
LEXO EDHE: Përplasja mes institucioneve shtetërore përmbyti dhjetëra shtëpi dhe qindra hektarë tokë në Lezhë
Fermerët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet dhe kompensim për dëmet që kanë pësuar.
Sipas fermerëve, shkaku kryesor i përmbytjeve të përsëritura në fushën e Spitënit është mos hapja e kanaleve kulluese dhe mosfunksionimi siç duhet i hidrovorit të Tales.
Ata theksojnë se ky dështim ka bërë që uji të mbetet i bllokuar, duke shkaktuar përmbytje të vazhdueshme dhe humbje të konsiderueshme për ta.
Toka e përmbytur ka vështirësuar punën e fermerëve, të cilët po përballen me humbje të mëdha ekonomike dhe pasiguri për të ardhmen.
LEXO EDHE: Shkatërrohet sërish shëtitorja/ Erozioni detar rritet frikshëm në Kune të Shëngjinit
Fermerët e kësaj zone kërkojnë të trajtohen me seriozitet nga institucionet përgjegjëse dhe të marrin ndihmën e nevojshme për të rimëkëmbur sektorin e bujqësisë dhe për të mbajtur gjallë familjet e tyre.
Situata në Spitën mbetet ende kritike dhe fermerët kërkojnë veprime urgjente për të parandaluar pasojat e mëtejshme.
Ata shpresojnë që autoritetet të ndërhyjnë dhe të ofrojnë mbështetje për t’u rikthyer në normalitet dhe për të siguruar mbijetesën e tyre.
© SYRI.net