Operacioni “Easy Money”: bie në Marbela të Spanjës kupola e një “banke klandestine” që pastronte para për mafiet e Italisë dhe Shqipërisë. Vlerësohet se kjo ‘qelizë’ e paligjshme kishte arritur të qarkullonte çdo vit në Evropë midis 80 dhe 100 milionë euro gjatë të paktën tre viteve.
Nga Alba Rosado, EL ESPANOL
Një shtetase italiane është arrestuar në Marbela të Spanjës si përgjegjëse e të ashtuquajturës “qeliza iberike” e një rrjeti kriminal të dedikuar për financimin dhe pastrimin e fondeve të organizatave mafioze nga Italia dhe Shqipëria.
Struktura mblidhte para cash në dyqane veshjesh të vendosura në zona industriale të Madridit, Seviljes dhe Malagës, për t’i futur më pas në një bankë klandestine.
Kështu ka njoftuar Ministria e Financave në një deklaratë për operacionin “Easy Money”, i zhvilluar njëkohësisht nga funksionarët e Shërbimit të Mbikëqyrjes Doganore të Agjencisë Tatimore dhe të Policisë së Shtetit në Spanjë dhe Itali.
“Qeliza iberike” kishte bazën operative në Malaga dhe merrej me mbledhjen e parave cash për bankën klandestine. Sipas deklaratës, kjo degë drejtohej nga një shtetas italian i arrestuar së fundmi në Amerikën e Jugut dhe nga motra e tij. Gruaja e arrestuar në Marbela drejtonte de facto qelizën aktualisht.
Pastrim parash përmes dyqaneve të veshjeve në zona industriale
Arrestimi u krye të hënën e kaluar në Marbela, në zbatim të një Urdhri Evropian Arresti dhe Dorëzimi. Funksionarët e Shërbimit të Mbikëqyrjes Doganore e vunë të arrestuarën, me shtetësi italiane, në dispozicion të Gjykatës Kombëtare.
Në kuadër të dy Urdhrave Evropianë të Hetimit, të koordinuar nga Prokuroria Speciale Kundër Drogës, u zbatuan dhjetë urdhra kontrolli dhe bastisjeje, të autorizuara nga Seksioni Hetimor i Gjykatës së Shkallës së Parë në Marbella.
Kontrollet u kryen në selitë e kompanive spanjolle të lidhura me çështjen dhe në banesën e të arrestuarës në Marbela, ku u sekuestruan dokumente, kontabilitet “B” (i fshehtë), para cash dhe pajisje elektronike që do të analizohen.
Hetimi, i nisur nga Drejtoria e Distriktit Antimafia të Firences, tregon për një organizatë kriminale të drejtuar nga një shtetas kinez që jeton në Prato, e cila vepronte si një “bankë ilegale” transnacionale që nga viti 2021.
Sistemi bazohej në mekanizmin e besimit “hawala”, i njohur në variantin kinez si “Fei-Ch’ien”, që lejonte transferimin virtual të kapitaleve midis Italisë, Spanjës, Francës, Gjermanisë, Belgjikës dhe Holandës përmes një rrjeti ndërmjetësish që merrnin komision për çdo transaksion.
Klientët e kësaj banke klandestine ishin “kartele të rrezikshme” trafikantësh shqiptarë të drogës të vendosur në qendër dhe në veri të Italisë, sipas deklaratës, e cila përmend gjithashtu pjesëmarrjen e organizatave mafioze italiane.
Në Itali janë arrestuar 40 persona për vepra penale që lidhen me trafik droge, emigracion të paligjshëm dhe pastrim parash, ndërsa janë sekuestruar pasuri me vlerë mbi 60 milionë euro.
Hetuesit vlerësojnë se rrjeti ka qenë përgjegjës për qarkullimin e 80 deri në 100 milionë eurove në vit për të paktën tre vjet.
Zhvillimi i operacionit është koordinuar nga Eurojust, Prokuroria Speciale Kundër Drogës dhe Prokuroria e Firences. Gjithashtu kanë marrë pjesë Njësia e Mbështetjes dhe Ndërlidhjes e AEAT pranë Prokurorisë Speciale Kundër Drogës, Njësia e Auditimit Informatik e AEAT dhe Europol.
© SYRI.net