Lajmi i fundit

LIVE/ Kryetari i PD, Sali Berisha bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale

Në 6 dosje penale i penduar, si Erjon Alibej po futet në çdo çështje si dëshmitar i SPAK

Në 6 dosje penale i penduar, si Erjon Alibej po futet në çdo çështje si dëshmitar i SPAK

10:42, 20/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Elton Qyno - Syri.net/

“…kur vendosa të trokas në institucionin tuaj për të dhënë shpjegime dhe për të sqaruar pozicionin tim mbi gjithçka ka ndodhur në jetën time dhe te familjarët e mi, kam hequr dorë nga çdo gjë, përfshirë këtu hakmarrjen për ato që mua dhe familjes sime i kanë ndodhur. Unë tashmë ia kam lënë në dorë gjithçka drejtësisë…”.

Me këto fjalë e nis rrëfimin e tij para oficerëve dhe prokurorëve të SPAK-ut Erjon Alibej, që njihet me nofkën “Krymi”. Njeriu me rekordin më të madh të financimit të vrasjeve (7 të tilla) në dosjen “Plumbi i Artë”, ka treguar se do të rrëfente implikimin e tij në krime të ndryshme dhe çfarë dinte e kishte dëgjuar për krime të tjera.

Alibej është pyetur 10 herë në SPAK, ku përmes regjistrimit video-audio ka treguar çfarë di rreth krimeve të kryera në Elbasan dhe qytete të tjera.

Gazetari Elton Qyno ka mësuar se prej 3 vitesh Alibej po përdoret nga SPAK si dëshmitar në 6 dosje penale, ku e fundit është dosja nr. 287, që bën fjalë për 20 persona të arrestuar lidhur me trafikun e drogës dhe pastrimin e parave në zonën e Zvërnecit, ndërtimet në Tiranë dhe jo vetëm.

Erjon Alibej rezulton të jetë futur si dëshmitar në dosjen penale kundër dy miqve të tij, Xhuljano Hoxha dhe Euglen Halili, në dosjen penale që njihet si “Plumbi i Artë”, ku është vetë i pandehur, në dosjen penale kundër Plaurent Dervishajt dhe Julian Meçajt, në dosjen penale kundër vëllezërve Franc dhe Hajdar Çopja dhe anëtarëve të grupit të tyre, në dosjen penale kundër Suel Çelës dhe grupit të tij, në dosjen penale kundër dy gazetarëve të Kronikës së Zezë, si dhe në dosjen penale kundër Artur Shehut, Artur Koçekut dhe biznesmenëve të tjerë.

Por Erjon Alibej asnjëherë nuk është pyetur në lidhje me dijeninë e tij se kush janë autorët e vrasjes së familjarëve të Zenel alias Andon Mahmutit, që në Elbasan njihet me nofkën “Nel Çami”.

Lidhja e Erjon Alibejt dhe Arjan Spahiut është lidhje e afërt familjare. Alibej asnjëherë nuk ka treguar në SPAK për një konflikt që në Elbasan e njohin mirë, hasmërinë e vjetër mes familjeve Alikaj-Mahmuti nga njëra anë dhe Çaka-Spahiu nga ana tjetër.

Erjoni duhet të ketë dijeni dhe të tregojë se kush ka organizuar, financuar dhe vrarë anëtarët e familjes së Zenel Mahmutit, shtetasit Emin Mahmuti, të birin e tij Xhelal Mahmuti, Pëllumb Mahmuti dhe për plagosjen e rëndë të Myzejen Qosja alias Mahmuti.

E po kështu të tregojë, nga ana tjetër, rreth hasmërisë mes familjes Alikaj në Elbasan dhe kushërinjve Everest Çaka dhe Arjan Spahiu.

Në dëshmitë e tij, Erjon Alibej alias “Krymi” pranon se i ka hyrë rrugës së vrasjeve për hakmarrje ndaj krimeve kundër familjarëve të tij, Endrit Alibej, dajës Arben Dylgjeri, kushëririt Andi Zylyfi, Sandër Bahos dhe mikut të tij turk, Erdal Duranay.

Pas rënies në burg dhe zbulimit të serisë së krimeve nga Nuredin Dumani, Erjon Alibej ka shfaqur pendesë të thellë me shpresën për të shpëtuar veten dhe familjarët nga ky kalvar krimesh të njëpasnjëshme.

Por me rrëfimin e tij si në SPAK ashtu edhe në gjykatë, i pandehuri Erjon Alibej nuk solli identifikimin e ndonjë ngjarjeje kriminale të re apo arrestimin e ndonjë personi tjetër, për të cilin SPAK nuk kishte dijeni.

Ai ka treguar mbi kalvarin e familjes së tij, që nisi me “luftën” ballore mes shokëve të fëmijërisë të familjes Çopja, Kel Kamamit, muhabetet që bënte me Suel Çelën, Arjan Spahiun, Sandër Bahon, Bujar Gërmizin, Florenc Çapjan, Kamer Mehjan e të tjerë dhe urdhrat apo financimet që realizonte për të kryer vrasjet me Arjan Spahiun dhe Nuredin Dumanin.

Vrasjet e realizuara në segmentin Durrës-Rrogozhinë-Peqin-Bradashesh-Elbasan dhe financimin e tyre i kanë treguar tre të penduar të tjerë para Erjon Alibejt. Pendesa e Alibejt është realizuar dy vite pasi u arrestua nga prokurori i Elbasanit, Ritvan Suka.

Dhe kjo pendesë erdhi dy vite pasi bashkëpunëtorët e tjerë të SPAK-ut, Euglen Halili, Henrik Hoxhaj (i përjashtuar) dhe Nuredin Dumani, kishin treguar një pjesë të mirë të dinamikave kriminale të drejtuara dhe financuara nga Erjon Alibej.

Rrëfimi i Alibejt nuk solli asnjë arrestim për SPAK-un. Vetëm se rrëfimet e tij janë përdorur nga SPAK si provë makiazhi në disa dosje të tjera të regjistruara kundër elementëve kriminalë, ku provat gjenerale dhe kryesore janë komunikimet e “Sky”.

Më 29 qershor 2023, Erjon Alibej lidhi një kontratë pendese me Prokurorinë e Posaçme SPAK, të mbështetur në 7 pika, ku mes të tjerash Alibej do të tregonte çdo gjë pa rezerva dhe prokurorët e SPAK-ut merrnin përsipër uljen e dënimit ose përjashtimin e dënimit të mbetur.

Kjo nuk është kontrata e pendesës, por kontrata e shpresës për të shpëtuar nga burgimi i përjetshëm, Erjon Alibej.

Që nga mesi i vitit 2023 dhe deri në mesin e vitit 2026, i penduari i SPAK-ut vijon të dëshmojë si i penduar në 6 dosje penale, ku në disa prej tyre ai nuk ka lidhje, as për të sqaruar pozicionin kriminal të tij dhe as për pozicionin e familjarëve dhe miqve të tij.

Së fundmi, Erjon Alibej është shfaqur si dëshmitar i penduar edhe në dosjen nr. 287 të vitit 2021, në të cilën SPAK ka proceduar për akuza të ndryshme 20 persona.

Më 3 prill 2026, Erjon Alibej është pyetur në SPAK si dëshmitar i drejtësisë, duke deklaruar:

“…se lidhur me lidhjen e Arturit alias Luciano Koçeku me biznesmenin Ilir Shtufi, në ndërtimet e kryera, ia ka komunikuar edhe personalisht Artur Koçeku se po investonte në ndërtim me të dhe se në bashkëpunim me të, duke e financuar ‘cash’ në shuma monetare të larta, fakt që ka dijeni edhe nga shoqëria e përbashkët, pasi Artur Koçeku sillej si një pronar në objektet që ndërtoheshin nga Ilir Shtufi, si edhe për faktin se më vonë këta persona dhe të tjerë të përfshirë në trafikun e narkotikëve kanë futur lekë cash tek Ilir Shtufi në objekte të caktuara të ndërtuara prej tij…”.

Ai ka treguar se këto informacione ia ka treguar vetë Artur Koçeku, të cilin e ka pasur shok. Dhe thënien që ia ka bërë Artur Koçeku, Erjon Alibej, pas më shumë se 8 vitesh, ua tregon prokurorëve të SPAK-ut për të zbuluar bashkëpunimet në pastrimin e parave dhe trafikun e drogës.

6 dosjet ku Alibej futet si dëshmitar

Dosja e Xhuljano Hoxhës dhe Euglen Halilit

Dosja nr. 75, Henrik Hoxha, Nuredin Dumani e të tjerë

Dosja e Plaurent Dervishajt dhe Julian Meçajt

Dosja e Franc dhe Hajdar Çopja e të tjerë

Dosja e Suel Çelës, dy gazetarëve dhe të tjerëve

Dosja e Artur Shehut, Artur Koçekut e të tjerë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco