Lajmi i fundit

Gjendet një kufomë në kufi me Elbasanin, dyshohet si i përket Eglant Koçit të zhdukur prej dy javësh

Akuzohet si pjesë e grupit kriminal të Luçiano Koçekut, vetëdorëzohet Erion Rama

Akuzohet si pjesë e grupit kriminal të Luçiano Koçekut, vetëdorëzohet Erion Rama

14:33, 18/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Erion Rama, nipi i Mirit të Xhikës dhe një nga personat e akuzuar nga SPAK si pjesë e grupit kriminal të drejtuar nga Luçiano Koçeku, është vetëdorëzuar këtë të enjte pranë Drejtorisë Vendore të Policisë së Tiranës.

Rama është mes personave të përfshirë në dosjen e bujshme të SPAK, ku një organizatë kriminale akuzohet se ka trafikuar rreth 50 ton kokainë drejt vendeve të Europës përgjatë një periudhe dyvjeçare, ndërsa fitimet e gjeneruara nga aktiviteti kriminal dyshohet se janë pastruar përmes investimeve të ndryshme në Shqipëri.

Sipas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme, Erion Rama ka qenë i pranishëm edhe në një takim të zhvilluar në Aruba, së bashku me Artur Shehun, Adrian Ramën, Elton Memetin, Bashkim Osmanin dhe persona të tjerë që hetuesit i konsiderojnë pjesë të një rrjeti të fuqishëm të trafikut ndërkombëtar të kokainës dhe të investimeve të dyshuara për pastrim parash në Shqipëri.

LEXO EDHE:  EMRAT-FOTO/ Takimi 'Top-Secret' në Aruba, Monako, Gjermani e Spanjë: Kush ishin 'bosët' e drogës…

SPAK dyshon se grupi kriminal i drejtuar nga Luçiano Koçeku kishte ngritur një strukturë të sofistikuar për trafikun e lëndëve narkotike nga Amerika Latine drejt Europës, duke kontrolluar zinxhirin e furnizimit, transportit dhe shpërndarjes së kokainës. Sipas dosjes hetimore, organizata kishte krijuar gjithashtu mekanizma për investimin e të ardhurave të dyshuara kriminale në sektorë të ndryshëm të ekonomisë shqiptare.

Rama ka në fuqi një masë arresti në shtëpi.

Vetëdorëzimi i Erion Ramës vjen në kuadër të operacionit të SPAK kundër këtij grupi, ndërsa hetimet për të gjithë personat e përfshirë vijojnë.

Kush është Luçiano Koçeku:

Sipas dosjes hetimore, Luçiano Koçeku, 44 vjeç, i lindur në Bulqizë dhe emigrant prej vitesh në Londër, konsiderohet si një nga figurat kyçe të rrjetit kriminal. Prokurorët dyshojnë se ai e ka nisur aktivitetin kriminal rreth viteve 2008-2009, kryesisht në Angli, ndërsa pas vitit 2015 është përfshirë në trafikun ndërkombëtar të kokainës nga Amerika Latine drejt Evropës. Sipas hetimeve, suksesi financiar i grupit u konsolidua pas viteve 2017-2018, periudhë kur nisën edhe investimet e dyshuara për pastrim parash.

SPAK ka zbuluar një rrjet të gjerë kriminal që shtrihej nga Kolumbia, Ekuadori, Bolivia, Paraguaji, Surinami, Uruguaji, Porto Riko dhe Brazili deri në portet kryesore të Evropës Perëndimore, kryesisht në Anversë të Belgjikës dhe Roterdam të Holandës. Kokaina fshihej në ngarkesa të ligjshme tregtare, si qymyr druri, pasta frutash, mish dhe sojë, ndërsa transportohej përmes kompanive të krijuara posaçërisht për këtë aktivitet.

Sipas hetuesve, grupi kontrollonte të gjithë zinxhirin e trafikut të narkotikëve, nga furnizimi në Amerikën Latine dhe përpunimi në laboratorë të ngritur në Belgjikë e Holandë, deri te transporti dhe shpërndarja në tregjet evropiane.

Në dosje përmenden gjithashtu Alfredo Hamzai dhe Luçiano Koçeku si furnizues të rëndësishëm të lëndës narkotike, me lidhje të drejtpërdrejta me laboratorë në Kolumbi dhe Ekuador të administruar nga shtetas shqiptarë. Hetimet kanë dokumentuar përdorimin e pajisjeve GPS, kamerave të survejimit dhe teknologjive për bllokimin e sinjaleve të pajisjeve gjurmuese.

Autoritetet shqiptare dhe partnerët ndërkombëtarë ia atribuojnë këtij rrjeti disa nga sekuestrimet më të mëdha të kokainës në Evropë, përfshirë 441 kilogramë në Barcelonë, 1.435 kilogramë në portin e Roterdamit, 162 kilogramë në Britaninë e Madhe, si dhe ngarkesa të tjera që arrinin deri në 1.2 tonë.

Paralelisht me hetimet për trafikun e drogës, SPAK ka zhvilluar hetime edhe për pastrimin e parave. Sipas prokurorisë, miliona euro të përfituara nga trafiku ndërkombëtar i kokainës janë investuar në prona të paluajtshme, projekte ndërtimi dhe kompani tregtare në Shqipëri.

Në skemën e dyshuar të pastrimit të parave përmenden biznesmeni Ilir Shtufi, kompanitë “Nova Construction 2012” (aktualisht “Nova Group”) dhe “LTD Co” sh.p.k., si dhe persona të tjerë për të cilët SPAK thotë se ekzistojnë indicie për përfshirje në veprimtari kriminale dhe procese të lidhura me pastrimin e produkteve të veprës penale.

Sipas përfundimeve të SPAK, personat nën hetim kanë bashkëpunuar në investime, transaksione dhe tjetërsime pronash, me qëllim fshehjen e origjinës së fondeve të dyshuara kriminale. Prokuroria dyshon se një pjesë e konsiderueshme e fitimeve të siguruara nga trafiku i kokainës është integruar në ekonomi përmes projekteve turistike dhe zhvillimeve ndërtimore, veçanërisht në Tiranë dhe në zonat bregdetare të vendit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco