Lajmi i fundit

LIVE - Kuvendi në seancë plenare

Aeroporti i Vlorës, ku shkuan 42 milionë euro? Dërgohen 2 letërporosi në Kosovë, gjurmim të kredisë që Pacolli mori në...

Aeroporti i Vlorës, ku shkuan 42 milionë euro? Dërgohen 2 letërporosi në Kosovë, gjurmim të kredisë që Pacolli mori në...

10:39, 18/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Elton Qyno – Syri.net/

Dy letërporosi janë dërguar nga Shqipëria në Kosovë, me qëllimin e vetëm gjurmimin e një shume prej 42 milionë eurosh të marra si kredi nga kompania “Mabco Constructions SA” e vëllezërve Behgjet dhe Emin Pacolli.

Shuma është marrë kredi për ta investuar te aeroporti i Vlorës, por në Shqipëri kanë mbërritur vetëm 15 milionë euro. Pjesa tjetër prej 27 milionë eurosh është “shkrirë” në investime të tjera të Pacollëve në Kosovë.

Tashmë hetimi për aeroportin e Vlorës është shtrirë deri në Kosovë, ku synimi është zbulimi i destinacionit të kredisë prej 42 milionë eurosh.

Gazetari Elton Qyno ka mësuar se letërporositë janë dërguar përmes Ministrisë së Drejtësisë nga Prokuroria e Tiranës, e cila i kërkon Prokurorisë së Përgjithshme të Kosovës të verifikojë gjurmët e transaksioneve të bëra nga kompania “Mabco Constructions SA” në Kosovë.

Kjo lëvizje hetimore e ndërmarrë nga prokuroria shqiptare është në vijimësi të shumë veprimeve hetimore që po ndiqen për çështjen penale 6404, e cila lidhet me situatën konfliktuale mes aksionerëve të koncesionit për ndërtimin e aeroportit të Vlorës.

Prokurori Ndini Tavani ka caktuar disa detyra për kolegët e tij kosovarë me qëllim zbardhjen e transfertave të një kredie që është marrë në Luksemburg dhe nga e cila një shifër e vogël financiare ka hyrë në Shqipëri.

Bëhet fjalë për këstin e parë të kredisë prej 100 milionë eurosh që “Mabco Constructions SA” ka marrë në një filial bankar në Luksemburg. Siç mëson gazetari Elton Qyno, shuma e këstit të parë është lëvruar në vlerën prej 42 milionë eurosh dhe ajo nuk ka hyrë direkt në sistemin bankar në Shqipëri, por në Kosovë.

Kjo shumë është transferuar nga Luksemburgu në drejtim të llogarisë bankare të shoqërisë “Mabco Constructions SA” në Kosovë. Por, pavarësisht se 42 milionë euro janë marrë me qëllim investimin në ndërtimin e aeroportit të Vlorës, kjo shifër nuk është transferuar e gjitha në Shqipëri.

Sipas hetimeve në Shqipëri, kanë mbërritur vetëm 15 milionë euro dhe pjesa tjetër ka qëndruar në Kosovë, për t’u shpërndarë në degë të tjera investimesh që kryejnë vëllezërit Pacolli.

Pikërisht për të zbuluar destinacionin real të shumës prej 27 milionë eurosh, Prokuroria e Tiranës ka kërkuar ndihmë te autoritetet kosovare. Tashmë hetimi për aeroportin e Vlorës është shtrirë deri në Kosovë, ku synimi është zbulimi i destinacionit të kredisë prej 42 milionë eurosh.

Sipas hetimeve, kompania “Mabco Constructions SA” e vëllezërve Pacolli ka marrë një kredi prej 100 milionë eurosh në një fond investimesh në Luksemburg.

Por, sipas kallëzuesit të kësaj çështjeje, aksionerit në minorancë Valon Ademi, kjo kredi ka lidhje direkte me një bankë në Kazakistan me pronarë shtetas rusë.

Ademi, gjatë marrjes në pyetje në Prokurorinë e Tiranës, ka pretenduar se për marrjen e kësaj kredie, Pacollët kanë futur të gjithë investimin e aeroportit, investim në të cilin ai ka edhe pjesën e tij takuese, duke rrezikuar kapitalet e tij.

Dosja mban nr. 6406 dhe për hetimin e saj është angazhuar prokurori Ndini Tavani dhe një oficer i policisë gjyqësore. Mësohet se personat e kallëzuar nga Ademi janë biznesmeni kosovar Behgjet Pacolli me vëllain e tij, Emin Pacolli, si dhe administratori i kompanisë “Mabco Construction”, Nelson Çela.

Ndërsa, nga ana tjetër, Emin Pacolli ka kallëzuar në prokurori 3 njerëz të tjerë, siç është aksioneri në minorancë me 2 për qind të aksioneve në “Vlora International Airport – VIA”, Valon Ademi, noterja ku është nënshkruar kontrata, Valbona Selimi, dhe ish-administratori i kompanisë, Valon Lluka.

Koncesioni që u fitua në tavolinë

Veprimet e fundit të firmave ndërtuese, të cilat fituan në “tavolinë” një koncesion të majmë nga qeveria, kanë sjellë dyshime të mëdha për gjithë funksionimin e projektit, ku vepra mund të bjerë edhe në “duart e gabuara”.

Të dhënat e hulumtuara flasin se koncesioni iu dha fillimisht firmës së biznesmenit kontrovers Behgjet Pacolli dhe një firme turke, e lidhur drejtpërdrejt me ndërtuesit e Tunelit të Llogarasë.

Më pas, turqit largohen duke ia kaluar me letra aksionet Pacollit. Por, më shumë sesa ndërrimi i duarve, bien “shumë erë” veprimet e “Mabco Constructions”, e cila pasi kishte firmosur marrjen e një kredie të majme në BKT, merr një tjetër kredi, kësaj here shumë herë më të lartë se ajo e para.

Në të dyja rastet, kolateral janë lënë aksionet në Aeroportin e Vlorës, një aset mjaft strategjik për Shqipërinë. Por nëse pronarët e BKT-së dihen që janë turq dhe kanë lidhje të forta me vendin tonë, a dihen pronarët e bankës në Luksemburg, ku Pacolli mori kredinë e dytë?

Tashmë për procedurën koncesionare, Prokuroria e Posaçme SPAK ka marrë të pandehur disa persona për akuzën “Shkelja e pabarazisë në tendera dhe ankande publike”.

Sipas të dhënave të dosjes, të pandehur janë marrë Klejda Ngjela, aktualisht sekretare e përgjithshme në Ministrinë e Brendshme, si dhe Teuta Balili, drejtoreshë e Partneritetit Publik-Privat në Fushën e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ervin Duraj, Lilika Radovicka, drejtoreshë e Programeve të Zhvillimit të Transportit, Infrastrukturës dhe Zhvillimit Urban, Edlira Kraja, drejtoreshë ekzekutive e Autoritetit të Aviacionit Civil Shqiptar, Aurora Pengu dhe Gazmir Vehbiu, ekonomist në Agjencinë e Trajtimit të Koncesioneve.

SPAK thotë se këta zyrtarë dyshohet se, në bashkëpunim, kanë favorizuar bashkimin e kompanive “Mabco Construction”, “YDA Group” dhe “2A Group”, duke ndikuar në kualifikimin dhe shpalljen e tyre fituese në procedurën koncesionare.

Dosja hetimore thekson se ka indicie për paracaktim të garës, duke cenuar konkurrencën dhe barazinë mes operatorëve ekonomikë pjesëmarrës.

Hetimet për këtë çështje kanë nisur që në vitin 2021, ndërsa vetëm pak javë më parë SPAK ka ngritur akuzat e para për anëtarët e komisionit.

Ndërkohë, procesi hetimor vijon dhe pritet të përfshijë edhe zyrtarë të tjerë të lartë, në një kohë kur projekti i Aeroportit të Vlorës është përfshirë edhe në përplasje gjyqësore administrative dhe penale mes aksionerëve Behgjet Pacolli dhe Valon Ademi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco