Është gjetur mbrëmjen e sotme trupi i pajetë i 37-vjeçarit Armando Zajzi, i cili dyshohet se humbi jetën në Liqenin e Ulzës pasi ra në ujë nga mjeti lundrues që drejtonte.
Sipas Policisë, ngjarja ndodhi më 15 qershor 2026, kur shtetasi Zajzi, banues në Laç, dyshohet se humbi kontrollin mbi mjetin lundrues dhe përfundoi në ujërat e liqenit.
Njoftimi i Policisë së Matit:
Në vijim të informacionit paraprak që ka të bëjë me ngjarjen e datës 15.06.2026, të ndodhur në Liqenin e Ulzës, ku shtetasi A. Z., 37 vjeç, banues në Laç, dyshohet se u mbyt pasi humbi kontrollin mbi drejtimin e mjetit lundrues dhe ra në ujë, ju informojmë se:
Pas dy ditësh kërkime intensive, rreth orës 20:00 të ditës së sotme, shërbimet e njësisë së polumbarëve të RENEA-s, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, Forcat e Armatosura, Shërbimin e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, forca vullnetare dhe familjarë, bënë të mundur gjetjen, nxjerrjen nga liqeni dhe identifikimin e trupit të pajetë të shtetasit A. Z.
Trupi i pajetë do të transportohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për kryerjen e veprimeve dhe ekspertizës mjekoligjore.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
© SYRI.net