Policia e Dibrës ka goditur një skemë të dyshuar kriminale për tjetërsimin e paligjshëm të pronave në Dibër.
Pas një hetimi 7-mujor, Policia ka ekzekutuar 14 masa sigurie ndaj punonjësve dhe ish-punonjësve të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, si dhe ndaj disa personave të dyshuar se kanë përfituar nga falsifikimi i dokumenteve. Ndërkohë, tre persona të tjerë, mes tyre një ish-drejtor i Kadastrës Dibër dhe një notere, janë shpallur në kërkim.
Nga hetimet dyshohet se shtetasit me detyra aktuale dhe të mëparshme në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, Dibër, dhe noterja, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë falsifikuar dokumente dhe kanë kryer veprime të tjera administrative të kundërligjshme, me qëllim tjetërsimin e pronave të paluajtshme, në favor të shtetasit T. D. dhe familjarëve të tij.
Konkretisht, u ekzekutuan masat e sigurisë:
– “Arrest në burg”, për shtetasit Teshar Doçi dhe Fatjon Çakrri, familjarë të njëri-tjetrit, për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim;
– “Arrest në shtëpi”, për shtetasit K. Xh., Ish-specialist matjesh në terren në AshK, Dibër, dhe R. L., me detyrë Përgjegjës i Sektorit të Legalizimeve në AshK, Dibër, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim;
“Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim, për shtetasit:
– E. V., me detyrë Hartograf në AshK, Dibër;
-G. H., me detyrë Përgjegjëse e Sektorit të Legalizimeve në AShK, Dibër, Ish-juriste e këtij sektori;
-V. Gj., me detyrë Juriste në Sektorin e Shërbimeve Kadastrale në AShK, Dibër;
-Xh. H., me detyrë Hartografe në Sektorin e Legalizimeve në AShK, Dibër;
-D. D., me detyrë Hartografe në Sektorin e Shërbimeve Kadastrale në AShK, Dibër;
-F. P., me detyrë Hartografe në Sektorin e Shërbimeve Kadastrale në AShK, Dibër.
Gjithashtu, e njëjta masë u ekzekutua për shtetasen E. D. (bashkëshortja e shtetasit T. D.), për veprën penale “Mashtrimi”, kryer në bashkëpunim.
U shpallën në kërkim:
– Danjel Gjura, me detyrë Zëvendësdrejtor i AShK, Dibër, Ish-drejtor i këtij institucioni, për të cilin është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim;
-A. M., me detyrë Notere, për të cilën është caktuar masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim;
-N. U. (familjar i shtetasit T. D.), për të cilin është caktuar masa e sigurisë “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, për veprën penale “Mashtrimi”, kryer në bashkëpunim.
“Vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe vijon hetimi për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari.”- njofton policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.
© SYRI.net