Shëtitorja e Kunës në Shëngjin është dëmtuar sërish gjatë ditëve të fundit si pasojë e vërshimit të detit.
Erozioni detar vijon të krijojë probleme serioze në këtë zonë, ndërsa çdo vit paraqitet e njëjta situatë me shëtitoren.
Bazamenti mbi rërë, i vendosur në kohën kur u ndërtua shëtitorja e re disa vite më parë, nuk ka arritur ta parandalojë dëmtimin e saj sa herë që ka batica deti.
Kjo situatë është një tjetër dëshmi e përparimit të erozionit detar dhe e mungesës së masave konkrete për frenimin e këtij fenomeni.
Riparimi i shëtitores konsiderohet vetëm një zgjidhje emergjente dhe e përkohshme, pasi për të parandaluar dëmtimet e mëtejshme kërkohet një ndërhyrje e bazuar në vlerësim inxhinierik dhe studim afatgjatë të vijës bregdetare.
Me këto ritme te erozionit, në rrezik të drejtpërdrejtë janë dhjetëra biznese, njësi shërbimi dhe apartamente banimi, të cilat ndodhen gjithnjë e më pranë rrugës që ndan detin nga zona urbane. Këmbanat e alarmit bien çdo vit, por vijojnë të mbeten pa u dëgjuar.
© SYRI.net