Mungesa e rrugës, ujit të pijshëm dhe moslargimi i mbeturinave janë kthyer në probleme serioze për banorët e fshatit Belishovë. Tre bashkitë, Fier, Patos dhe Mallakastër, ia kalojnë përgjegjësinë njëra-tjetrës, duke i lënë banorët pa zgjidhje. Të revoltuar nga kjo situatë, ata kërkojnë bashkëpunim mes institucioneve për zgjidhjen e problematikave që prej vitesh rëndojnë jetën e komunitetit.
Vetëm një kilometër rrugë që lidh Ofiçinën e Vjetër, Kasnicën dhe lagjen Belistan të Belishovës është kthyer në simbol të mungesës së përgjegjësisë mes tre bashkive, Fier, Patos dhe Mallakastër. Banorët thonë se Bashkia Patos ka asfaltuar vetëm një pjesë të këtij segmenti, ndërsa pjesa tjetër vijon të mbetet pa investim, pasi Bashkia Fier dhe Bashkia Mallakastër ia kalojnë përgjegjësinë njëra-tjetrës.
Përveç rrugës së amortizuar, banorët ankohen edhe për mbeturinat që nuk pastrohen rregullisht, duke krijuar ndotje dhe erë të rëndë në zonë.
Problematik mbetet edhe furnizimi me ujë të pijshëm. Edhe pse rrjeti është shtrirë prej vitesh, shumë familje ende nuk furnizohen me ujë në banesa, ndërsa aty ku ky shërbim ofrohet, uji vjen vetëm një orë në ditë.
Të revoltuar nga kjo situatë, banorët u bëjnë thirrje Bashkive Patos, Fier dhe Mallakastër të lënë mënjanë debatet për juridiksionin dhe të bashkëpunojnë për zgjidhjen e problemeve që prej vitesh ndikojnë në jetën e komunitetit.
© SYRI.net