Një në tre nxënës është larguar nga bankat e shkollës në 10 vitet e fundit, arsimi përballet me pasojat e krizës demografike
Një në tre nxënës të arsimit bazë është larguar nga bankat e shkollës gjatë dhjetë viteve të fundit, ndërsa në arsimin e mesëm numri i tyre është përgjysmuar. Kjo është panorama që paraqet një raport i organizatës “Qëndresa Qytetare”, bazuar në të dhënat e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe INSTAT-it, i cili evidenton se sistemi parauniversitar në Shqipëri po përballet me pasojat e drejtpërdrejta të krizës demografike.
Raporti thekson se rënia e lindshmërisë, emigracioni i familjeve të reja dhe plakja e popullsisë nuk reflektohen vetëm në statistikat demografike, por edhe në jetën e përditshme të shkollave. Si pasojë, ulja e numrit të nxënësve ka sjellë mbyllje shkollash dhe riorganizim të rrjetit arsimor, veçanërisht në zonat rurale dhe të thella.
Sipas të dhënave, në vitin shkollor 2014–2015 në arsimin bazë publik ishin të regjistruar 342,765 nxënës, ndërsa në vitin 2023–2024 ky numër kishte rënë në 228,833. Brenda një dekade, sistemi ka humbur 113,932 nxënës, ose rreth 33% të popullsisë shkollore. Me fjalë të tjera, sot mungon një në tre nxënës krahasuar me dhjetë vite më parë.
Edhe më shqetësuese paraqitet situata në arsimin e mesëm. Numri i nxënësve ka rënë nga 125,517 në vitin shkollor 2014–2015 në vetëm 63,092 në vitin 2023–2024, duke shënuar një ulje prej afro 50%. Sipas raportit, kjo lidhet me efektin e kombinuar të rënies së lindjeve, emigracionit dhe largimit të të rinjve nga vendi përpara përfundimit të arsimit të mesëm.
Tkurrja e numrit të nxënësve ka detyruar edhe riorganizimin e rrjetit arsimor. Në arsimin bazë, numri i institucioneve publike ka rënë nga 1,317 në 1,014, që do të thotë se 303 shkolla nuk funksionojnë më si një dekadë më parë. Rreth 23% e shkollave janë mbyllur, bashkuar ose riorganizuar. Në arsimin e mesëm, numri i institucioneve është ulur nga 381 në 351, duke regjistruar një reduktim më të moderuar, prej rreth 8%.
Raporti shpjegon se mbyllja e shkollave ka ndodhur kryesisht në zonat me numër të ulët banorësh, ku mungesa e nxënësve ka detyruar bashkimin e institucioneve ose transportimin e fëmijëve drejt shkollave më të mëdha. Ndërsa në qytete ky proces është menaxhuar më lehtë, në zonat malore dhe rurale ai ka krijuar sfida të reja për aksesin në arsim.
Në themel të kësaj situate qëndron rënia e lindjeve. Sipas raportit, numri i lindjeve në Shqipëri ka rënë nga 35,717 në vitin 2014 në 22,541 në vitin 2025, ose rreth 37% më pak. Kjo do të thotë se edhe në vitet e ardhshme sistemi arsimor pritet të përballet me breza gjithnjë e më të vegjël nxënësish.
Raporti arrin në përfundimin se sistemi arsimor nuk mund ta përballojë i vetëm këtë sfidë, pasi tkurrja e popullsisë shkollore është pasojë e krizës demografike dhe kërkon politika afatgjata që lidhin arsimin me mbështetjen për familjet e reja, zhvillimin ekonomik, migracionin dhe planifikimin territorial. Në të kundërt, rënia e numrit të nxënësve pritet të sjellë mbyllje të tjera shkollash, riorganizim të rrjetit arsimor dhe sfida të reja për mësuesit në të gjithë vendin.
© SYRI.net