Katastrofë ekologjike në Maliq/ Mijëra peshq të ngordhur në rezervuarin e Gjinikasit, banorët akuzojnë keqmenaxhimin e ujërave

13:28, 14/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një katastrofë ekologjike është shënuar në rezervuarin e fshatit Gjinikas, në Bashkinë e Maliqit, ku mijëra peshq të ngordhur kanë mbuluar sipërfaqen e cekët të ujit.

Pamjet nga zona tregojnë një situatë alarmante, ndërsa banorët ngrenë shqetësimin për dëmtimin e rëndë të ekosistemit dhe kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve për të zbardhur shkaqet e kësaj ngjarjeje.

Shkak paraprak dyshohet të jetë bërë ulja e ndjeshme e nivelit të ujit për shkak të thatësirës, por banorët thonë se kjo situatë nuk është e re. Sipas tyre, ngordhja masive e peshqve lidhet edhe me mënyrën e menaxhimit të burimeve ujore, veçanërisht me hapjen e portave të hidrocentraleve.

Banorët pretendojnë se mungesa e një menaxhimi të duhur të ujit po përsërit të njëjtin problem ndër vite, duke shkaktuar pasoja për florën dhe faunën e zonës.

“Është një situatë që përsëritet, por askush nuk mban përgjegjësi dhe askush nuk jep shpjegime”, shprehen banorët, duke kërkuar transparencë nga institucionet përgjegjëse.

Deri më tani nuk ka një reagim zyrtar nga autoritetet për shkaqet e ngordhjes së mijëra peshqve dhe nëse do të ketë një hetim për këtë rast.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco