Ndoc Çefa ishte një nga emrat e njohur të teatrit dhe kinematografisë shqiptare, një artist që i kushtoi një pjesë të madhe të jetës së tij skenës dhe kulturës.
I lindur në Shkodër, Çefa u formua profesionalisht në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë dhe ishte ndër aktorët themelues të teatrit “Skampa” të Elbasanit në vitin 1962. Gjatë karrierës së tij ai interpretoi në skenë dhe në ekran, duke lënë pas role të spikatura, ndër të cilat veçohet personazhi i Antonit në filmin “I teti në bronx”.
Përveç kontributit të tij si aktor, Ndoc Çefa ka drejtuar teatrin “Migjeni” të Shkodrës dhe ka shërbyer edhe si kryetar i Këshillit Bashkiak të këtij qyteti, duke qenë një figurë aktive në jetën kulturore dhe publike.
Pas një jete të lidhur me artin dhe familjen, Çefa u nda nga jeta më 2 korrik 2026, në moshën 83-vjeçare, në shtëpinë e tij në West New York, New Jersey, SHBA, ku jetonte prej më shumë se dy dekadash.
Ai la pas bashkëshorten e tij Ikbale Cefa, fëmijët Olmo dhe Parid Cefa, si dhe mbesën e tij Roxy Cefa. Ndoc Çefa do të prehet në Varrezat e Sharrës në Tiranë.
Emri dhe kontributi i tij mbeten pjesë e kujtesës së teatrit dhe kinematografisë shqiptare.

© SYRI.net