Një ngjarje që mund të kishte përfunduar me pasoja të rënda është shmangur në kohë në Gjirin e Llamanit, pas ndërhyrjes së Policisë Kufitare në Himarë.
Sipas njoftimit zyrtar, një gomone po lëvizte në mënyrë të pakontrolluar dhe me shpejtësi në det, pa asnjë person në bord, çka ka alarmuar shërbimet përkatëse.
Menjëherë pas sinjalizimit, Policia Kufitare ka ndërhyrë në zonën e “Kepit të Rigonit”, përballë plazhit të Llamanit, ku ka nisur verifikimet në terren.
Nga hetimet paraprake rezultoi se drejtuesi i mjetit lundrues, shtetasi E.M., 35 vjeç, banues në Orikum, kishte rënë në det gjatë lëvizjes së gomones.
Ai ka mundur të dalë në gjirin e Llamanit, ku është gjetur me dëmtime në këmbë. Më pas është transportuar drejt spitalit për ndihmë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, gomonia ka vijuar të lëvizë pa kontroll, duke rrezikuar mjete të tjera lundruese dhe pushuesit në zonë. Në ndërhyrje është përfshirë edhe Njësia Policore Detare, ku një punonjës ka arritur të hipë në bord dhe të neutralizojë mjetin.
Më pas, gomonia është shoqëruar në Pikën e Kontrollit Kufitar në Himarë për verifikime të mëtejshme.
Njoftimi i plotë:
Ndërhyrja e menjëhershme e shërbimeve të Policisë Kufitare në Himarë shmangu sot një ngjarje me pasoja të rënda në det.
Pas njoftimit se një gomone po lëvizte në mënyrë të pakontrolluar dhe me shpejtësi, pa persona në bord, shërbimet e Policisë Kufitare ndërhynë menjëherë në zonën e “Kepit të Rigonit”, përballë plazhit të Llamanit.
Nga verifikimet rezultoi se drejtuesi i mjetit lundrues, shtetasi E. M., 35 vjeç, banues në Orikum, kishte rënë në det gjatë lëvizjes dhe kishte dalë në gjirin e Llamanit, i dëmtuar në këmbë. Ai u transportua në spital për ndihmë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Gomonia, e cila paraqiste rrezik për mjetet e tjera lundruese dhe për pushuesit, u vu nën kontroll nga Njësia Policore Detare dhe Policia Kufitare. Një punonjës i Njësisë Policore Detare mundi të hidhej në bordin e gomones dhe ta ndalonte atë.
Më pas, mjeti lundrues u tërhoq në PKK Himarë për verifikime të mëtejshme.
Policia Kufitare vijon të jetë e angazhuar maksimalisht në shërbim të qytetarëve, vizitorëve dhe turistëve. Në këtë kuadër, ajo fton qytetarët që, në rast nevoje, të telefonojnë në numrin 112.
© SYRI.net