Shkarjet e dherave dhe gurëve gjatë 24 orëve të fundit, si pasojë e reshjeve të shiut, vijojnë të shkaktojnë probleme në qarkun e Kukësit. Reshjet janë intensifikuar edhe gjatë orëve të mbrëmjes, duke krijuar një situatë serioze me rënie gurësh, inertesh dhe prezencë uji në rrugë.
Ndërkohë, reshje dëbore janë regjistruar në zonat veriore, në lartësi mbi 1100 metra mbi nivelin e detit. Në bashkinë Tropojë, për shkak të reshjeve, në segmentin rrugor Dushaj–Lekbibaj, në orët e para të mëngjesit janë shënuar rrëshqitje të masiveve shkëmbore. Aktualisht vijon puna për largimin e masivit shkëmbor, ndërsa aksi mbetet i kalueshëm për qarkullimin e mjeteve.
Rrugët nacionale dhe ato bashkiake vazhdojnë të jenë nën presionin e rënies së gurëve dhe inerteve. Kontraktorët janë në terren pa ndërprerje, me mjete dhe punëtorë, për pastrimin dhe sigurimin e akseve rrugore.
Sipas Prefekturës së Kukësit, të gjitha akset rrugore nacionale janë të qarkullueshme. Furnizimi me energji elektrike është normal në të gjithë qarkun, me përjashtim të fshatit Kam, në Njësinë Administrative Bytyç, bashkia Tropojë, ku vijon puna për rikthimin e energjisë.
Nga bashkitë Kukës, Tropojë dhe Has nuk raportohen problematika të tjera të rëndësishme. Autoritetet u bëjnë apel drejtuesve të mjeteve që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit, të reduktojnë shpejtësinë për shkak të lagështisë në rrugë dhe të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë, veçanërisht kur udhëtojnë drejt zonave malore ku ka prezencë dëbore.
© SYRI.net