Gjatë natës dhe në vijim në qarkun Fier janë regjistruar reshje shiu me intensitet të ulët. Deri në këto momente, situata paraqitet e qetë dhe nën monitorim të vazhdueshëm nga strukturat përgjegjëse.
Akset nacionale dhe rurale janë të kalueshme normalisht, pa probleme për qarkullimin e mjeteve. Furnizimi me energji elektrike dhe me ujë të pijshëm vijon në normalitet në të gjithë territorin e qarkut.
Hidrovoret ndodhen në gjendje pune dhe në gatishmëri të plotë për të përballuar çdo situatë të mundshme. Prurjet në lumin Vjosë janë në tendencë uljeje, ndërsa vijon tërheqja e ujërave nga tokat bujqësore të prekura më herët nga përmbytjet e këtij lumi.
Ndërkohë, prurjet në lumenjtë Seman dhe Shkumbin janë në tendencë rritjeje. Në disa zona përgjatë rrjedhës janë evidentuar dalje të ujit nga shtrati, por situata mbetet brenda argjinaturave dhe pa rrezik të menjëhershëm.
Gjatë ditës së sotme, pas tërheqjes së ujërave në fshatin Ferras, strukturat e Bashkisë Fier vijojnë punën në terren për normalizimin e situatës.
Autoritetet janë në monitorim të vazhdueshëm të situatës në lumin Seman, duke marrë në konsideratë edhe rritjen e shkarkimeve nga hidrocentrali i Banjës. Situata mbetet nën kontroll, ndërsa strukturat e emergjencës civile janë në gatishmëri të plotë.
© SYRI.net