Lajmi i fundit

LIVE/ Tiranë - Hamburg: Shqiptarët protestë masive - 'Rama jepe dorëheqjen'

SYRI TV/ Durrësi nën ujë në ditën e katërt, banesa dhe biznese ende të përmbytura

21:45, 09/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Qindra banesa, biznese dhe mijëra hektarë tokë vijojnë të jenë të zhytura në ujë për të katërtën ditë. Në Durrës, banesat janë ende nën ujë, ndërkohë që edhe bizneset kanë pësuar dëme të mëdha. Janë evakuuar 667 banorë, ndërkohë që problematike mbeten Sukthi, Durrësi i Ri, si dhe Katundi. Banorët ankohen se janë neglizhuar nga institucionet.

Durrësi është në ditën e katërt nën ujë. Në banesa, oborret dhe bizneset, ende nuk është tërhequr uji, ndërkohë që dëmet janë të mëdha, pasi disa prej familjeve janë përmbytur më shumë se dy herë gjatë vitit.

Dalja e lumit Erzen ka shkaktuar përmbytje dhe zonat më problematike janë Jubë/Katund i Ri dhe Rrushkull/Sukth. Janë evakuuar gjithsej 667 banorë, 300 në Sukth dhe 53 nga Katundi i Ri. Sipas verifikimeve të bëra së fundmi, janë verifikuar 2645 banesa nën ujë. Ndërkohë, që nga dalja e lumit Erzen dhe çarja e argjinaturës, fshatrat Erzen dhe Fllakë janë përmbytur, ndërsa Qerreti është në rrezik. Rreth 1000 ha tokë bujqësore janë përmbytur. Në Njësinë Administrative Sukth janë përmbytur rreth 5000 ha tokë bujqësore, ndërsa lagjet 2, 3, 4 dhe pjesë të qytetit janë nën ujë. Në Njësinë Administrative Rrashbull janë përmbytur 400 ha tokë.

Një nga banorët shprehet se është përmbytur disa herë dhe më herët ka marrë vetëm 140 mijë lekë të vjetra si dëmshpërblim.

Ndërkohë, banorë të tjerë ankohen se asnjë nga strukturat shtetërore nuk ka shkuar për të parë situatën në të cilën ata ndodhen, duke fajësuar mosfunksionimin e hidrovorit dhe bllokimin e kanaleve kulluese.

Edhe pse ende nuk janë përllogaritur dëmet që u janë shkaktuar nga përmbytja, pasi uji nuk është larguar ende nga banesat, banorët deklarojnë se dëmet janë të mëdha dhe të përsëritura, sepse orenditë shtëpiake kanë dalë jashtë funksionit, ndërkohë që edhe shtëpitë, nëse nuk janë tharë plotësisht, janë të pabanuara.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco