Detaje të reja janë mësuar nga kontrollet e SPAK për çështjen e Belinda Balluku.
Mësohet se kontrolle janë kryer edhe në kompaninë Salillari të Pëllumb Salillarit dhe në kompaninë Senka në Lushnje që zotërohet nga Ylli dhe Donika Senka.
SPAK gjithashtu ka ushtruar kontrolle në banesën dhe zyrën e Arbër Abazit, i cili ka edhe lidhje familjare me Ballukun, pasi bashkëjeton me vajzën e tezes së zv/kryeministres.
Kur kanë mbetur edhe 13 ditë nga vendimi përfundimtar i Kushtetueses për Belinda Ballukun Prokuroria e Posaçme ka vijuar edhe këtë të premte (9 janar) me kontrollet dhe sekuestrot e sendeve materiale në kuadër të hetimeve për numrin dy të qeverisë Belinda Balluku.
Burime i thanë Syri Televizion se janë kontrolluar një sërë subjektesh përfshirë biznese e zyra shtetërore, e ku janë sekuestruar nga Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit edhe sende me vlerë, përfshirë dokumentacion e pajisje.
Në fokus të veprimeve kanë qenë subjekte të lidhura me procedurat e tenderimeve të loteve të Unazës së Madhe të Tiranës, por burimi mbetet i rezervuar të ndalet në emra zyrtarësh apo biznesmenësh që kanë qenë subjekte të kontrolleve dhe sekuestrove.
Belinda Balluku është nën akuzë për shkelje të barazisë në tendera, për aferën 190 milion euroshe për tunelin e Llogarasë dhe nën hetim për të paktën 8 procedura në ndërtimin e Unazës së Madhe të Tiranës.
Ndaj saj GJKKO ka vendosur pezullimin nga detyra dhe ndalimin e daljes jashtë vendit, por Gjykata Kushtetuese e pezulloi masën e parë, derisa të shprehet përfundimisht më 22 janar. Ndërkohë apeli la në fuqi bllokimin e pasaportës por nuk shqyrtoi pjesën e pezullimit, përderisa Kushtetuesja nuk është shprehur ende, SPAK iu drejtuar Kuvendit të Republikës me kërkesën që ti hapë rrugë arrestimit të numrit dy të qeverisë shqiptare.
© SYRI.net