Zjarri masiv që ra mbrëmjen e djeshme në lagjen 5 Maji në Tiranë, ka shkaktuar pasoja të rënda materiale dhe dëme të konsiderueshme, ndërsa një prej pronareve të kapanoneve të djegura, ka lëshuar akuza të forta ndaj zjarrfikësve për neglizhencë dhe mungesë të mjeteve të nevojshme për të menaxhuar situatën.
Sipas dëshmisë së saj, katastrofa mund të ishte shmangur nëse ndërhyrja do të ishte bërë në kohë dhe me mjetet e duhura.
Duke folur nga vendi i ngjarjes, banorja pretendon se zjarri filloi në një pikë të caktuar dhe se u përhap për shkak të paaftësisë së forcave zjarrfikëse për ta izoluar. Problemi kryesor, sipas saj, ishte mungesa totale e ujit. "Ishte neglizhencë totale. Ujë nuk kishte. Ujin e kanë marrë nga larg," shprehet ajo, duke treguar se vonesa për të siguruar ujin i dha kohë flakëve të përhapeshin pa kontroll.
Përveç mungesës së ujit, një tjetër akuzë e rëndë lidhet me gjendjen e mjeteve zjarrfikëse. Dëshmitarja i përshkruan ato si të vjetruara dhe jashtë çdo standardi. “Zjarrfikset ishin jashtë standartit. Nuk e di, ne do hyjmë në Europë me zjarrfikse të viteve '80 dhe '90?” pyet ajo në mënyrë retorike, duke vënë në dyshim seriozisht nivelin e gatishmërisë së shërbimeve të emergjencës.
Pronarja: Ujë, ku ka ujë? Këto janë tre elementët që duhet të shojë një zjarr. Uji është i fundit. Po të kishin njëri nga këto elementë, do ishte... policia s'ka nevojë fare... do ishte shuar gjithë kjo katastrofë. Zjarri filloi këtu dhe mori nga lart. I thonim zjarrfikëseve, shuajte zjarrin këtu dhe asgjë. Ishte neglizhencë totale. Ujë nuk kishte. Ujin e kanë marrë nga larg. Shikoni tubacionet e ujit. Zjarrfikset ishin, zjarrfikse që janë jashtë standartit. Nuk e di, ne do hyjmë në Europë me zjarrfikse të viteve '80 dhe '90? Nuk e di, këto emergjencat speciale se çfarë materialesh marrin dhe çfarë aparaturash për të shuar zjarrin. Domethënë, s'kishte, s'kishte ujë. Mua më janë shkaktuar shumë dëme. Unë jam një nga... që më e dëmtuara më shumë. I kisha gati pothuajse dy kapanoni dhe ky kapanoni këtu dhe ky mund të ishin shpëtuar. I pari ka marrë ky këtu. Dhe kur kam ardhur unë, të dy kapanonët nuk kishin zjarr. Zjarri ishte vetëm këtu. Ka kaluar zjarri nga lart dhe nga lart ka marrë të gjithë kapanonët.
© SYRI.net