Gjatë protestës së zhvilluar para Bashkisë së Durrësit, një e moshuar ka shprehur indinjatën dhe revoltën e saj ndaj situatës së rëndë që po përjetojnë qytetarët për shkak të përmbytjeve, duke akuzuar drejtpërdrejt institucionet vendore dhe drejtuesit e tyre.
Ajo deklaron se qytetarët ndodhen ende mes ujit, ndërkohë që kryetarja e Bashkisë, Emiriana Sako, vazhdon të qëndrojë në karrige dhe t’i vjedhë qytetarët. Në fjalën e saj të fortë, e moshuara shprehet se drejtuesit aktualë do të ndëshkohen nga Zoti për atë që po i bëjnë këtij populli, duke theksuar se protestuesit e sotëm janë njerëz që e mbështesin njëri-tjetrin “me mish e shpirt”.
Ajo u bën thirrje qytetarëve të tjerë që të mblidhen në protestë, duke deklaruar se ky vend i bekuar po drejtohet nga njerëz të korruptuar. Në fjalën e saj, e moshuara përmend edhe zyrtarë të tjerë të lartë, si Belinda Balluku e cila del në terren me pasuri të mëdha dhe 300 hyrje, ndërsa njerëzit në nevojë mbeten pa ndihmë, duke sugjeruar që këto pasuri duhet t’u jepen qytetarëve që vuajnë pasojat e përmbytjeve.
Ajo shpreh zhgënjim edhe ndaj Prokurorisë, duke theksuar se drejtësia është shumë e vonuar dhe duke ngritur pyetjen se çfarë do të ndodhë me qytetarët që sot nuk dinë as ku të kthehen, pasi shtëpitë e tyre janë përmbytur. Sipas saj, Bashkia nuk duket askund, ndërsa zemërimi dhe revolta ndaj, siç i quan ajo, “të pangopurve”, po rritet çdo ditë.
Protesta para Bashkisë së Durrësit vijon në një klimë të tensionuar, me qytetarë që kërkojnë përgjegjësi dhe reagim konkret nga institucionet për situatën e rëndë që po kalojnë.
'Emiriana Sako po na vjedh. Do t’i dënojë Zoti, sepse ky popull që është sot, ne e mbështesim me mish e shpirt, këta që jemi sot. I bëjmë thirrje rinisë: mblidhuni këtu. Ky vend i bekuar drejtohet nga këta njerëz të korruptuar. Doli Balluku në terren sot me atë pasuri, me 300 pallate. T’ua japë pallatet njerëzve në nevojë. Do t’i kapë Prokuroria këta? A i sekuestroi Prokuroria? Jo. Çfarë do bëjmë ne, do vdesim këtu? Prokuroria është shumë e vonuar. Do shkojmë në shtëpi që nuk dimë ku e kemi, sepse janë përmbytur. Bashkia nuk duket. Gjak e vrer u vëllshin këta të pangopurit. Po, te mbytet lagjja 1, ajo Veliera që me taksat tona ka kushtuar miliona është bërë për skaf. Pse nuk japin dorëheqjen këta? Ai i gjati pse nuk sheh që ky popull nuk e do? Rri e pi verë, 32 mijë euro.'-shprehet qytetarja
© SYRI.net