3 fshatra në Bashkinë Kuçovë kanë mbetur të izoluar për shkak të amortizimit të urës dhe në mungesë të një rruge normale për të kaluar. Banorët shprehen se janë të lënë në harresë ndërsa u rrezikohet jeta çdo ditë. Situata më shqetësuese është për nxënësit, që duhet të kalojnë mbi urën e amortizuar, duke rrezikuar jetën.
Syri TV
Banorët e tre fshatrave: Bardhaj, Pashtraj dhe Velagosht në ish-komunën Lumas, në bashkinë e Kuçovës, janë prej vitesh të izoluar me qendrën e ish/komunës dhe me qytetin. Mungesa e një ure që lidh këto tre fshatra me rrugën nacionale ua ka vështirësuar jetën banorëve. Për këtë,ata duhet të kalojnë me automjetet e tyre në mes të lumit, gjë që bëhet e rrezikshme në dimër. Ndërsa këmbësorët përdorin një urë mbi lumë, me kavo çeliku dhe dërrasa të kalbura.
Mbi këtë urë kalojnë çdo ditë edhe fëmijët e arsimit 9-vjeçar,të cilët e kanë shkollën në fshatin Lumas.
Banorët shprehen se kjo gjendje e rënduar vijon prej shumë vitesh dhe pavarësisht se janë ankuar në Bashkinë Kuçovë askush nuk ka vënë dorë për të ndërhyrë me investime në këtë zonë. Ata shprehen se rruga e fshatrave dhe ura ju është premtuar në çdo fushatë elektorale dhe ka ngelur vetëm premtim.
Banorët shprehen se kjo urë është rrezik permanent për ta dhe fëmijët,ndërkohë që- siç pohojnë vetë ata- në rastet e vdekjeve bëhet mjaft i vështirë transportimi i të ndjerit drejt varrezave të fshatit.
Fshatrat Pashtraj, Bardhaj dhe Velagosht burim kryesor ekonomik kanë bujqësinë,ndaj mungesa e urës ua vështirëson edhe dërgimin e prodhimeve në treg dhe u rrit njëkohësisht edhe kostot.
© SYRI.net