Policia Kufitare e Shkodrës ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Borders 5”, në kuadër të goditjes së rasteve të ndihmës për kalim të paligjshëm të kufijve. Si rezultat i këtij operacioni, është arrestuar në flagrancë një 29-vjeçar, i cili dyshohet se ndihmonte emigrantë nga vendet e treta të kalonin kufirin kundrejt pagesës.
Sipas njoftimit zyrtar, në pranga është vënë shtetasi O. Ç., 29 vjeç, banues në Fushë-Krujë. Ai u kap në fshatin Vukpalaj, teksa po transportonte me automjet tre emigrantë nga Sudani, të cilët synonin të kalonin ilegalisht kufirin drejt Malit të Zi. Nga hetimet paraprake dyshohet se 29-vjeçari merrte 500 euro për person për këtë shërbim të paligjshëm.
Gjatë ndërhyrjes së Policisë Kufitare, i riu ka tentuar të largohej, por pas një ndjekjeje disa minutëshe është ndaluar dhe shoqëruar. Në vijim të veprimeve procedurale, u sekuestruan automjeti me të cilin po transportoheshin emigrantët, si dhe telefoni celular i të arrestuarit.
Nga verifikimet e mëtejshme ka rezultuar se O. Ç. ishte i shpallur në kërkim edhe nga Komisariati i Policisë Nr. 7 në Tiranë, për veprën penale “Largim nga vendi i vuajtjes së dënimit”. Për këtë rast, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë kishte caktuar më herët masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Policia bën me dije se hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë.
© SYRI.net