Policia e Shkodrës ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Pesha e krimit”, si rezultat i të cilit është zbardhur vrasja e shtetasit Pavlin Preka, e ndodhur më 27 shkurt 2025, në fshatin Guci e Re.
Si rezultat i punës intensive operative dhe hetimore, të zhvilluar nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër nën drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, janë identifikuar, kapur dhe vënë në pranga dy shtetas të dyshuar si autorë të kësaj vrasjeje.
Operacioni u realizua me mbështetjen e Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësisë Shkodër, Forcës së Posaçme “Shqiponja”, si dhe shërbimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër dhe DVP Shkodër.
Në kuadër të operacionit u arrestuan shtetasit Klaudio Lisaj, 20 vjeç, banues në fshatin Mgull dhe Vasel Koçeku, 43 vjeç, banues në fshatin Hot i Ri.
Ata dyshohen për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim; “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme ligjore.
© SYRI.net