Varrezat e Suelasit në qytetin e Beratit, janë dëmtuar e dhunuar shumë herë.
Hajdutët hynin në ambientet e brendshme të varrezave gjatë natës dhe shqyenin e vidhnin nga varret gotat dhe materialet e zbukurimeve prej bronxi dhe metali dhe vidhnin edhe kangjellat rrethuese duke dëmtuar edhe mermerët e varreve.
Më pas të gjitha materialet e vjedhura shiteshin për skrap.
I identifikuar si ‘dhunues i varreve’, nëpërmjet identifikimit nga kamerat e sigurisë dhe verifikimeve të bëra në pikat e grumbullimit të hekurishteve në qarkun e Beratit Romeo Këmbaci ishte shpallur në kërkim policor dhe Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat kishte caktuar për të masën e sigurisë ‘arrest në burg’, në mungesë.
Romeo Këmbaci u arrestua nga policia, nën akuzën e ‘Dhunimi i varreve’, parashikuar nga neni 118 i Kodit Penal.
© SYRI.net