Lajmi i fundit

LIVE/ 'Rama jepe dorëheqjen! Protesta para kryeministrisë, mijëra shqiptarë dhe diaspora në këmbë

Dhuna mes të rinjve nuk ndalet: sherr mes nxënësve në lagjen 'Ndoc Mazi', Shkodër

Dhuna mes të rinjve nuk ndalet: sherr mes nxënësve në lagjen 'Ndoc Mazi', Shkodër

13:02, 20/12/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Konfliktet mes nxënësve të shkollave të mesme vijojnë të mbeten shqetësuese. Një tjetër rast është shënuar pasditen e së premtes në Shkodër, ku disa adoleshentë janë përfshirë në një sherr fizik pas përfundimit të orarit mësimor.

Sipas informacioneve, nxënës që udhëtojnë nga zona e Vau Dejës kanë lënë takim për t’u përballur mes tyre pranë vendqëndrimit të furgonëve, në lagjen “Ndoc Mazi”, ku zakonisht presin mjetet e transportit për në shkollë dhe kthim.

Në pamjet e siguruara nga vendngjarja, shihen dy grupe të rinjsh që fillimisht përplasen me grushte. Në një moment, një prej adoleshentëve dyshohet se nxjerr një mjet prerës, të cilin e mban në dorë për disa çaste. Fatmirësisht, nga përplasja nuk raportohet për persona të plagosur.

Situata u qetësua pas ndërhyrjes së një gruaje, ndërsa në vendngjarje mbërriti edhe policia. Megjithatë, burime bëjnë me dije se ka munguar bashkëpunimi për dhënien e informacionit, si nga nxënësit e pranishëm, ashtu edhe nga drejtuesit e furgonëve.

Për ngjarjen është vënë në dijeni edhe Drejtori i Policisë Shkodër, Gentian Berberi, i cili mësohet se po ndjek personalisht rastin. Sipas burimeve, konflikti mes të rinjve kishte nisur disa ditë më parë.

Ky episod vjen vetëm një javë pas një ngjarjeje tjetër të rëndë pranë shkollës “Shejnaze Juka” në Shkodër, ku dy të rinj mbetën të plagosur, duke rritur shqetësimin për sigurinë në dhe rreth institucioneve arsimore.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco